Trazirat në Belfast: Droja e rikthimit të dhunës sektare

Evropë

Trazirat në Belfast: Droja e rikthimit të dhunës sektare

Më: 12 prill 2021 Në ora: 18:47
Trazirat në Belfast: Droja e rikthimit të dhunës sektare

Njëzet e tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Irlandën e Veriut, po shtohen shqetësimet për një rikthim të dhunës sektare pas disa netë trazirash në kryeqytetin Belfast. Unionistët pro-Britanisë, janë të zemëruar nga shumë elementë të marrëveshjes Brexit.

Një autobus u rrëmbye dhe u dogj në Belfast ditë më parë ndërsa protestuesit hodhën shishe me benzinë në drejtim të policisë duke plagosur shumë prej tyre. Tensionet kaluan në dhunë ndërsa pro-britanikët shprehën zemërimin e tyre. Protesta u përqendrua përgjatë rrugës Shankill, vija ndarëse mes bashkësive kryesisht protestane të unionistëve dhe katolikëve, komunitetet nacionaliste pro-irlandeze.

Kryeministri britanik Boris Johnson bëri thirrje për dialog ndërsa udhëheqësit e qeverisë së përbashkët në Belfast e dënuan dhunën. Arlene Foster, Ministre e parë e Irlandës së Veriut, u shpreh kundër dhunës.

“Ashtu siç ishte e gabuar dhe e pajustifikueshme në të kaluarën, ashtu është edhe sot.”

Zv/Ministrja e parë e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, tha se gjithçka mund të zgjidhet përmes rrugëve demokratike.

“Vetëm përmes politikës demokratike mund të zgjidhim problemet dhe shqetësimet tona.”

Problemet e kanë burimin tek dalja e Britanisë nga BE-ja, duke e bërë kufirin mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, një kufi të jashtëm të Bashkimit Evropian. Droja ishte se vendosja e një kufiri të fortë, mund të provokojë kthimin e dhunës sektare.

Një pjesë e marrveshjes Brexit, që quhet Protokolli i Irlandës së Veriut, përcakton që kontrolli i mallrave nga Britania në drejtim të Irlandës së Veriut do të kryhet në portet në të dy anët e Detit Irlandez.

Kjo ka krijuar një kufi real midis Britanisë kontinentale dhe Irlandës së Veriut, thotë analistja Katy Hayward.

“Kjo ka shkaktuar shqetësime, kryesisht mes unionistëve të të dy krahëve, të cilët mendojnë se pozita e tyre në Mbretërinë e Bashkuar po cënohet.”

Gjerësisht mendohej se Brexit mund të minonte marrëveshjen e paqes të vitit 1998. Tensionet e Brexit-it i kanë përkeqësuar ndarjet sektare mes partive rivale që ndajnë pushtetin, thotë analistja Katy Hayward.

“Procesi i paqes ka nevojë për negociata dhe kujdes të vazhdueshëm si dhe kompromis. Ka shqetësime se mbase Britania dhe BE-ja menduan se bënë shumë kompromise, dhe kjo u bë padyshim. Por ato gjithashtu duhet të zbatojnë protokollin duke patur në mendje kompromisin.”

Ndërsa policia ka qënë objektivi kryesor i dhunës së unionistëve, ka pasur përleshje sporadike përgjatë linjave sektare.

“Lehtësisht mund të shihet se gjithçka mund të përkeqësohet. Ky është shqetësimi më i madh për momentin", thotë analistja Katy Hayward.

Presidenti Joe Biden, i cili ka prejardhje irlandeze, është i shqetësuar mbi ndikimin e Brexit-it tek paqja në Irlandën e Veriut.

“Vazhdojmë të inkurajojmë BE-në dhe qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’i dhënë përparësi zgjidhjeve pragmatike për të mbrojtur dhe avancuar paqen e fituar me vështirësi në Irlandën e Veriut”,tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Udhëheqësit politikë në Dublin dhe Bruksel gjithashtu kanë bërë thirrjepër dialog. Çështja e kufirit irlandez dominoi negociatat e Brexit-it dhe është e qartë se zgjidhja nuk është e lehtë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat