Ukraina: Putini refuzoi kërkesën për bisedime për çështjen e trupave ruse në kufi

Evropë

Ukraina: Putini refuzoi kërkesën për bisedime për çështjen e trupave ruse në kufi

Më: 12 prill 2021 Në ora: 21:15
Foto

Ukraina akuzoi Kremlinin të hënën se nuk përfilli një kërkese për bisedime midis presidentëve të dy vendeve rreth grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit, por Moska tha se ushtarët janë në territorin e tyre, ndryshe nga forcat amerikane në rajon.

Kievi dhe Moska kanë fajësuar njëri-tjetri për përkeqësimin e situatës në rajonin lindor të Donbasit, ku trupat ukrainase luftojnë me forcat e mbështetura nga Rusia në një konflikt, që sipas Kievit, ka vrarë 14,000 njerëz që nga 2014.

Perëndimi ka shprehur shqetësim javët e fundit rreth një grumbullimi të madh të forcave ruse afër kufirit lindor të Ukrainës dhe në Krime, të cilën Rusia e aneksoi në 2014.

Departamenti i Shtetit tha të hënën se Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg kishin diskutuar për "nevojën e menjëhershme që Rusia të ndërpresë përqëndrimin e saj agresiv ushtarak".

Rusia ka thënë se i lëviz forcat e saj ashtu siç e gjykon të arsyeshme, përfshirë edhe për qëllime mbrojtëse.

Iuliia Mendel, zëdhënëse e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, i tha agjencisë së lajmeve Reuters të hënën se udhëheqësi i Ukrainës ishte përpjekur dhe deri më tani nuk kishte arritur të fliste me homologun rus Putin për këtë çështje.

"Zyra e presidentit, natyrisht, bëri një kërkesë për të folur me Vladimir Putinin. Ne nuk kemi marrë ende një përgjigje dhe shpresojmë shumë që ky të mos jetë një refuzim i dialogut", tha zëdhënësja Mendel.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ai nuk kishte parë një kërkesë të tillë për bisedime "ditët e fundit" dhe nuk ishte në dijeni që të ishte bërë një kërkesë kohët e fundit.

Kur u pyet nëse Putini kishte diçka për t’i thënë homologut të tij Zelenskiy, Peskov tha se ai shpresonte se "mençuria politike" do të mbizotëronte në Kiev kur bëhej fjalë për uljen e tensioneve dhe shmangiene e një lufte të mundshme.

Mendel tha se Rusia ka dislokuar më shumë se 40,000 trupa në kufirin lindor të Ukrainës dhe më shumë se 40,000 trupa në Krime, dhe se rreth 50,000 ishin trupa të reja shtesë.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, gjatë një vizite në Egjipt, tha se Uashingtoni, jo Moska, duhet të ofrojë shpjegime në lidhje me aktivitetet e tij në dhe rreth Ukrainës.

"Po ngrihen pyetje rreth asaj që po bën Rusia në kufirin me Ukrainën", tha Lavrov. "Përgjigja është shumë e thjeshtë. Ne jetojmë atje, është vendi ynë. Por çfarë po bëjnë Shtetet e Bashkuara mijëra kilometra nga territori i tyre me anijet luftarake dhe trupat në Ukrainë?"

Turqia tha të premten se Uashingtoni, i cili i ka dhënë armë Ukrainës, do të dërgojë dy anije luftarake në Detin e Zi këtë javë. Pentagoni nuk pranoi të diskutonte mbi komentet e Turqisë por tha se ushtria amerikane dërgon rregullisht anije në rajon.

Presidenti ukrainas Zelenskiy zhvilloi bisedime në Stamboll të shtunën me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se zhvillimet në Ukrainën lindore ishin shqetësuese.

Të hënën, ministri Lavrov u tha Turqisë dhe vendeve të tjera "përgjegjëse" që të mos ushqejnë atë që ai e përshkroi si "ndjenjë luftënxitëse" në Ukrainë.

Ngërçi ka ngjallur shqetësime nga mbështetësit perëndimorë të Ukrainës. Uashingtoni ka akuzuar Rusinë për një dislokim "provokues".

Zelenskiy ka folur për nevojën që NATO-ja të pranojë kërkesën e Ukrainës për anëtarësim, një hap që Rusia e kundërshton, duke përmendur shqetësimet për sigurinë e saj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat