VOA: Kancelarja Merkel kërkon kompetenca emergjente përballë COVID-it

Evropë

VOA: Kancelarja Merkel kërkon kompetenca emergjente përballë COVID-it

Më: 14 prill 2021 Në ora: 00:49
Angela Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të martën se i ka kërkuar parlamentit kompetenca të përkohëshme që do t’u jepnin mundësi autoriteteve federale të vënë në zbatim masa kufizuese mbarëkombëtare për të parandaluar një valë të tretë të pandemisë.

Kancelarja Merkel bëri komente për gazetarët pasi kabineti i saj miratoi një projektligj që do t’i jepte qeverisë së saj kompetenca për të vendosur kufizime si orën policore dhe mbylljen e shkollave e bizneseve në zona me ritme të larta infeksionesh.

Zonja Merkel tha se masat janë të nevojshme për të “penguar valën e tretë të pandemisë dhe për të ndalur ritmet e shpejta të infektimeve” në ato zona ku ka më shumë se 100 të infektuar për çdo 100 000 banorë për tre ditë radhazi brenda një jave.

Më herët këtë vit, kur po parashtronte një plan për rihapjen e aktivitetit dhe heqjen e kufizimeve, zonja Merkel përmendi nevojën për të përdorur “frenat e emergjencës” nëse shtohen përsëri rastet me koronavirus.

Udhëheqësja gjermane e ka bërë të qartë se këto masa kanë qenë të nevojshme prej kohësh. Duke përmendur shifrat e Institutit Robert Koch të Sëmundjeve Infektive, ajo tha se kohët e fundit janë diagnostikuar afro 11 000 raste të reja në ditë dhe se thuajse të gjithë shtretërit në pavionet e kujdesit intensiv janë të zëna. Ajo shprehu shpresën se projektligji do të miratohet pa vonesë në parlament.

Zonja Merkel u ka bërë thirrje gjermanëve të tregohen të duruar, duke nënvizuar se vaksinimet “çdo ditë sjellin një inerci të re” kundër sëmundjes. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat