Armin Laschet, kandidat i bllokut konservator për postin e kancelarit të Gjermanisë

Evropë

Armin Laschet, kandidat i bllokut konservator për postin e kancelarit të Gjermanisë

Më: 20 prill 2021 Në ora: 15:18
Armin Laschet dhe Angela Merkel

Armin Laschet, udhëheqës i Bashkimit Kristian Demokrat gjerman, fitoi mbështetjen e udhëheqësve të lartë të partisë për të garuar si kandidat i konservatorëve për të zëvendësuar kancelaren Angela Merkel në zgjedhjet e federale të shtatorit, thanë burime pranë partisë. Disa orë më vonë, Markus Soeder, udhëheqësi i partisë më të vogël bavareze si-motër, CSU, që është pjestare e bllokut konservator, shprehu mbështetjen për ish-rivalin Laschet që të garojë si kandidat i konservatorëve për postin e kancelarit të Gjermanisë.

Pas më shumë se gjashtë orë debatesh, zoti Laschet siguroi 31 nga 46 votat e anëtarëve të komitetit ekzekutiv të Bashkimit Kristian Demokrat, që përfaqësojnë më shumë se 77.5% të votuesve, thanë burime pranë partisë.

Image
Armin Laschet, udhëheqës i Bashkimit Kristian Demokrat

“Është e rëndësishtme që CDU/CSU futen në fushatë të bashkuara. CDU nuk mund të fitojë zgjedhjet pa CSU,” tha zoti Laschet.

Disa orë pas zgjedhjes së zotit Laschet nga partia e tij, udhëheqësi i shtetit jugor gjerman të Bavarisë Markus Soeder shprehu mbështetjen për rivalin e tij si kandidat i bllokut konservator për kancelar për të zëvendësuar zonjën Angela Merkel pas zgjedhjeve të përgjithshme të shtatorit.

Image
Markus Soeder, CSU

“CDU u mblodh dje dhe mori një vendim që e respektoj. I telefonova zotit Laschet dhe e urova. Ne i ofruam atij mbështetjen e plotë gjatë asaj për të cilën besoj se do të jetë në fushatë e vështirë elektorale. Ne do ta mbështesim atë dhe e them edhe në emrin e partisë CSU.”

Para zgjedhjes së zotit Laschet si kandidat i bllokut për kancelar, anketat tregonin se zoti Soeder gëzonte më shumë popullaritet. Një sondazh nga ARD Deutschlandtrend i publikuar të premten tregonte se 72% e votuesve koservatorë e konsideronin zotit Soeder më të përshtatshëm për kancelar të vendit. Sipas institutit të sondazheve “Infratest Dimap” vetëm 17% e konservatorëve favorizonin kandidaturën e zotit Laschet për kancelar.

Sipas anketave, konservatorët gëzojnë një epërsi të ngushtë përballë Partisë së Gjelbër. Laschet shihet gjerësisht si një kandidat që do të vazhdojë trashgiminë e Kancelares Merkel, pavarësisht se ai është përplasur me të rreth kufizimeve për koronavirusin.

Zoti Laschet ka thënë se një nga përparësitë e politikës së tij si kancelar do të ishte mbajtja e Evropës së bashku dhe drejtimi i bllokut përtej krizës aktuale të shkaktuar nga pandemia./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat