Vrasja e punonjëses së policisë po hetohet si sulm terrorist

Evropë

Vrasja e punonjëses së policisë po hetohet si sulm terrorist

Më: 23 prill 2021 Në ora: 20:14
Vendi ku ndodhi incidenti në Rambuje të Francës.

Një punonjëse e policisë është goditur për vdekje me thikë brenda një stacioni policie afër Parisit. Incidenti ndodhi në një stacion të policisë në Rambuje, në jug-perëndim të Parisit.

Oficerja administrative, 48 vjeçare, e paarmatosur, u godit me thikë në qafë.

Sulmuesi 36-vjeçar, i cili thuhet se erdhi në Francë nga Tunizia disa vjet më parë, u qëllua dhe më vonë vdiq në spital.

Vrasja po hetohet si sulm i mundshëm terrorist nga ana e prokurorëve anti-terror.

Sulmuesi e goditi punonjësen me thikë në hyrje të stacionit të policisë të premten pasdite derisa ajo po kthehej nga pushimi i saj në ora 14:20.

Dëshmitarët thanë se sulmuesi ishte parë duke ecur jashtë stacionit të policisë dhe e shfrytëzoi mundësinë e tij për të hyrë ndërsa gruaja po kalonte nga dyert e sigurisë.

Zyrtarët thanë se sulmuesi nuk kishte të dhëna kriminale dhe ishte i panjohur për shërbimet e inteligjencës. Një zyrtar i paidentifikuar tha se gjatë sulmit dëshmitarët e dëgjuan atë duke thënë në arabisht "Allahu Akbar" (Zoti është më i madhi).

Pas incidentit, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të premten se Franca nuk do të dorëzohet kurrë ndaj "terrorizmit islamist".

Kryeministri francez, Jean Castex dhe ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin shkuan në vendin e ngjarjes.

"Republika ka humbur një nga heronjtë e saj të përditshëm në një akt barbar", shkroi Castex në Twitter.

Franca ka parë sulme vdekjeprurëse kundër policisë në të kaluarën, përfshirë disa nga ekstremistët islamikë.

Në tetor të vitit 2020, një 21-vjeçar me prejardhje nga Tunizia ka vrarë tre njerëz me thikë, në një kishë të Nicës. Paraprakisht, një mësuesi i është prerë koka në një lagje në rrethinë të Parisit.

Të dyja aktet kanë shkaktuar zemërim global./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat