Tragjedi në Mesdhe, 130 të vdekur nga mbytja e varkës me emigrantë

Evropë

Tragjedi në Mesdhe, 130 të vdekur nga mbytja e varkës me emigrantë

Më: 23 prill 2021 Në ora: 21:23
Mesdhe

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM), deri në 130 vetë vdiqën këtë javë nga përmbysja e një varke në brigjet e Libisë.

Safa Msehli, zëdhënësja e IOM-it tha se "për dy ditë, OJQ-ja 'Alarm Phone', e cila është përgjegjëse për dërgimin e telefonatave për ndihmë në qendrat përkatëse detare të kërkim-shpëtimit në rajonin e Mesdheut, u kishte bërë thirrje shteteve të mbanin përgjegjësinë e tyre ndaj këtyre njerëzve dhe të dërgonin anije shpëtimi".

"Fatkeqësisht," tha ajo "kjo nuk ndodhi".

Image

Zonja Msehli tha se grupi i pavarur i shpëtimit SOS-Mediterranee dërgoi një anije, "Ocean Viking", në kërkim të varkës. Fatkeqësisht, kur mbërriti në skenë të enjten në mbrëmje, ekuipazhi u përball me pamjen shqetësuese të dhjetëra trupave që pluskonin përreth një gomoneje të përmbysur.

Ajo tha se kjo tragjedi vjen dy ditë pasi një anije tjetër me rreth 103 emigrantë u pikas nga Roja Bregdetare Libiane, e cila gjeti një nënë dhe fëmijën e saj të vdekur në bord. Të mbijetuarit u kthyen në Libi dhe po mbahen të ndaluar në një institucion qeveritar.

"Ka raporte të mëtejshme për një anije të tretë që transportonte deri në 40 vetë", tha zonja Msehli. "Ne nuk kemi asnjë lajm për këtë varkë. Ajo ka qenë në det për tre ditë dhe, sërish, kemi frikën se më e keqja mund të ndodhë duke patur parasysh statusin dhe gjendjen e këtyre anijeve dhe duke patur parasysh kohëzgjatjen gjatë së cilës njerëzit po qëndrojnë në vendkalimin më të rrezikshëm detar në botë".

E drejta ndërkombëtare i detyron shtetet t'i shpëtojnë njerëzit në det. Sidoqoftë, ndërsa qëndrimet ashpërsohen në Evropë kundër azilkërkuesve dhe emigrantëve, shumica e të cilëve vijnë nga Afrika dhe Lindja e Mesme, më shumë vende po e shkelin ligjin. Vende si Italia dhe Malta e kanë ndaluar që anijet me emigrantë të zbresin në portet e tyre dhe vendet evropiane kanë vendosur gjoba për anije private të tilla si "Ocean Viking" dhe kanë vendosur rregulla që ua bën të vështirë për të shpëtuar emigrantët në det.

IOM thotë se vdekjet e fundit e çojnë numrin e përgjithshëm të njerëzve që kanë humbur jetën në Mesdheun qendror këtë vit në 650. Kjo është më shumë se një rritje katërfish e numrit të vdekjeve të regjistruara gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, zonja Msehli vëren se aftësia e IOM-it për të monitoruar vdekjet në Mesdheun qendror është ulur në mënyrë drastike për shkak të mungesës së anijeve të kërkim-shpëtimit të shteteve. Pra, ajo thotë se numri aktual i vdekjeve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat