Ukraina gëzon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara

Evropë

Ukraina gëzon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara

Më: 8 maj 2021 Në ora: 19:32
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price

Uashingtoni dhe Pekini kanë shkëmbyer kritika gjithnjë e më të hapura e të mprehta gjatë muajve të fundit, në një sinjal të qartë të fuqizimit të Kinës dhe qëndrimit më agresiv të Pekinit në arenën ndërkombëtare. Uashingtoni ka shprehur një numër kritikash edhe në adresë të Moskës lidhur me sulmet kibernetike, tentativat për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe më së fundmi mbi fushatën e frikësimeve ndaj Ukrainës. Sekretari i Shtetit Antony Blinken sapo përmbylli një vizitë në Kiev ku u përpoq të sigurojë Ukrainën se Amerika qëndron e palëkundur përkrah tyre. Në një intervistë për shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se administrata amerikane është e përqëndruar tek diplomacia dhe bashkërendimi i veprimeve me aleatët perëndimorë në përballjen me kërcënimin rus.

“Diskutuam lidhur me aktet e agresionit rus, aktet frikësuese të Rusisë, por gjithashtu diskutuam edhe problemin e korrupsionit dhe axhendën e reformave që duhet të çohen përpara në Kiev, në mënyrë që populli ukrainas të arrijë aspiratat euro-atlantike”, thotë zoti Price.

Fakti që Sekretari Blinken zgjodhi të vizitojë Kievin kaq herët në administratën e re, është dëshmi e angazhimit serioz të Uashingtonit si aleat i Ukrainës, tha zoti Price. Zëdhënësi shtoi mbështetja amerikane për Ukrainën nuk njeh dallime partiake as në Kongresi.

Kievi do të dëshironte që Uashingtoni t'i ofrojë më shumë ndihmë ushtarake, duke përfshirë pajisje për t'iu kundërvënë aftësisë së Rusisë për të bllokuar komunikimet ukrainase, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe teknologji anti-snajper. Gjatë vizitës së tij, Sekretari Blinken nuk njoftoi ndihma të reja ushtarake për Ukrainën.

Zëdhënësi Price theksoi se administrata amerikane është e përqëndruar tek diplomacia dhe bashkërendimi i veprimeve me aleatët perëndimorë.

“Të 30 aleatët e NATO-s janë shprehur të vendosur në mbështetje të Ukrainës përballë këtyre frikësimeve ruse. Dëgjuam të njëjtën gjë edhe në takimin e ministrave të G-7 në Londër këtë javë. Në të dyja këto forume, nuk ka asgjë më pak se partneritet të njëzëshëm me popullin ukrainas”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Zoti Price shtoi se sekretari i shtetit e shfrytëzoi vizitën për të demonstruar përkrahjen dhe rëndësinë që u kushton Amerika shoqërisë civile dhe institucioneve demokratike. Ai veçoi intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, e vënë nën presion të shtuar nga Moska:

“Këto përpjekje ruse kundrejt RFE/RL e bëjnë të qartë se Federata Ruse, Presidenti Putin nuk kanë besim në qëndrimet e tyre. Kjo administratë i druhet shkëmbimit të lirë të informacionit dhe mediave si Radio Evropa e Lirë”, tha zoti Price.

Shtetet e Bashkuara, tha zoti Price, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të fjalës së lirë dhe në mbështetje të gazetarëve të pavarur dhe grupeve mediatike si Radio Evropa e Lirë që vazhdojnë punën për të ofruar informacion të pavarur, përballë frikësimeve e persekutimit rus./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat