Georgia Meloni, a mund të bëhet Kryeministrja e parë e Italisë?

Evropë

Georgia Meloni, a mund të bëhet Kryeministrja e parë e Italisë?

Nga: Politico.eu Më: 12 maj 2021 Në ora: 19:29
Georgia Meloni

Përveç paraqitjes, nuk ka asgjë vëllazërore mes udhëheqëses Georgia Meloni-t, udhëheqëse e “Vëllezërve të Italisë” me rivalin e saj kryesor të së djathtës ekstreme.

“Së bashku do t’i japim Italisë shumë shpejt qeverinë që ajo meriton, pavarësisht përpjekjeve të atyre që duan të na përçajnë”, i shkroi ajo javën e kaluar në rrjetet sociale Matteo Salvinit, udhëheqësit të Lega Nord. Vetë Salvini më herët i kish uruar “Ditën e Nënës”.

Shpërfaqja publike e miqësisë eklipsoi një përplasje të ashpër mes Melonit dhe Salvinit për supremaci në të djathtën ekstreme, që shpërtheu pas vendimit të Lega-s për t’u bërë pjesë e qeverisë së unitetit kombëtar të Mario Draghi-t. Vendimi la “Vëllezërit e Italisë”, praktikisht të vetmit në opozitë.

Sondazhet e nxjerrin e nxjerrin aktualisht këtë parti me 18 për qind mbështetje, 4 pikë më pak se Salvini, duke e bërë praktikisht Melonin një sfiduese të denjë të Salvinit për drejtimin e koalicionit të së djathtës, ku përfshihet edhe partia e ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi.

Udhëheqësi i partisë me performancën më të mirë brenda koalicionit, nëse aleanca do të fitojë zgjedhjet e radhës, që do të mbahen brenda qershorit 2023 me gjasë do të jetë edhe Kryeministri i ri i Italisë. Sondazhet e deritanishme e nxjerrin koalicionin e djathtë fitues dhe “Vëllezërit e Italisë” synojnë majën, duke i dhënë mundësinë Melonit që të bëhet femra e parë që drejton qeverinë italiane.

“Vëllezërit e Italisë”, që e merr emrin nga vargjet e himnit italian (Fratelli D’Italia) është rritur shumë prej fundit të 2019-ës, falë profilit të lartë të drejtueses së saj, por edhe falë qëndrimit si forca e vetme politike në opozitë, duke arritur në shifra të paimagjinueshme për një parti pos-fashiste, që mori vetëm 4 për qind të votave në 2018-ën.

Shumicën e elektoratit e ka përfituar në kurriz të Legës së Salvinit, e cila mori 34 për qind të votave në zgjedhjet për Parlamentin Europian të qershorit të vitit të kaluar. Por, që prej këtij momenti është në rënie të lirë.

“Meloni është një kërcënim real ndaj Salvinit për postin udhëheqës të aleancës së djathtë. Është në formë dhe në pozicion të mirë”, thotë Daniele Albertazzi, studiues i shkencave politike në Universitetin e Birminghamit.

Sekreti i suksesit të saj? Kur Liga njolloste “emrin” e saj në koalicion fillimisht me 5 Yjet e më pas në qeverinë e unitetit, “Vëllezërit e Italisë” qëndruan në opozitë, duke krijuar te elektorati i djathtë perceptimin si forcë më e qëndrueshme dhe e pastër ndaj idealeve të saj.

Rrënjet e partisë së Melonit janë që nga Lëvizja Socialiste Italiane, themeluar nga aleatët e Mussolinit në vitin 1945. Por, kjo origjinë nuk është pengesë për të marrë pushtetin. Trashëgimtarët e fashizmit në itali konsiderohen si më pak ekstremë se pjesa tjetër e tyre dhe prej viteve ’90 kanë qenë partnerë qeverisës kur e djathta ka ardhur në pushtet.

Të qënurit në opozitë si parti e vetme ka avantazhe të shumëfishta. Që prej muajit shkurt, partia e Melonit ka vepruar si magnet për të përthithur të gjithë ata që nuk janë dakord me qeverinë. Përveç kësaj, Meloni ka marrë në dorë edhe disa komisione kyçe në Parlament, si ata për kontrollin e televizioneve shtetërore dhe të shërbimeve të inteligjencës.

Përveç kësaj, opozitës i takon edhe një e treta e kohës së transmetimeve politike në mediat shtetërore, që do të thotë një kohë e bollshme. Pikërisht për këto përfitime është akuzuar për qëndrimin në opozitë, por partia e Melonit këmbëngul se vendimi për të qëndruar jashtë qeverisë nuk ishte dredhi politike.

Në një koment dërguar “Politico”, Meloni thotë se qëllimi i saj është që të jetë “një opozitë patriotike, të vlerësojë propozimet e qeverisë pa paragjykime dhe të nxisë ndërhyrjet te prioritetet që ka vende”, ku përfshihet punësimi, taksat, pandemia dhe menaxhimi i emigracionit.

“Nuk jemi në opozitë për avantazh politik, kjo as që bëhet fjalë. Nëse sot një e treta e italianëve janë mbështetës të qeverisë Draghi, ne jemi zëri i shumicës së atyre që kanë pakënaqësi me këtë qeveri”, tha Federico Mollicone, senator i partisë së Melonit.

Mollicone pretendon se “Vëllezërit e Italisë” janë në opozitë për të ndihmuar aleatët e tyre të së djathtës që kanë hyrë në qeveri për të çuar përpara betejat e përbashkëta.

Por, roli i kësaj partie në opozita ka qenë gjithçka, përveçe ndihmues për Lega-n e Salvinit, duke e detyruar këtë të fundit që të mbajë qëndrime me njërën këmbë në qeveri dhe tjetrën në opozitë.

Lega ka abstenuar për disa vendime e masa që më herët kishte rënë dakord dhe u bë nismëtare e një peticioni kundër masave kufizuese të nxjerra nga vetë qeveria ku merr pjesë. Me verën përpara dhe sezonin e fluksit të emigracionit klandestin me varka nga Afrika e Veriut, aftësia Salvinit për të përshtatur rolin si pjesë e qeverisë me instiktet e tij populiste do të testohet edhe më tej.

Kur Meloni u përgjigj për fluksin e varkave me emigrantë javën e kaluar me thirrje për një bllokadë detare të menjëhershme, Salvini nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të kërkonte një takim me Draghi-n.

Përveç të djathtës ekstreme, Meloni synon edhe votuesit e qendrës. Një autobiografi me titullin “Unë jam Giorgia”, duket si një mjet që synon të “zbusë” imazhin e saj përmes rrëfimit për fëmijërinë e vështirë dhe pa baba dhe vështirësitë për t’u bërë nënë.

Për disa analistë, konflikti brenda aleancës së djathtë me zor se mund të quhet një “arenë përplasjesh politike” dhe me gjasa do të shuhet para zgjedhjeve të radhës. Daniele Albertazzi thekson se këto parti kanë një historik të gjatë bashkëpunimi. “Kanë 25 vite që qeverisin së bashku”, thotë ai.

Një test i shpejtë nëse do të mund të tejkalojnë edhe këtë herë ndasitë brenda kampit është në horizont, kur duhet të përzgjedhin kandidatët për zgjedhjet vendore në qytetet e mëdha, sidomos në Romë.

Për aleatët, emrin i Melonit do të ishte më i përshtatshmi, por ajo vetë e ka hedhur poshtë këtë, duke e cilësuar si përpjekje për ta larguar nga gara e vërtetë, gara për drejtimin kombëtar.

Për momentin, Lega është ende përpara në sondazhe, por me ritmet e rënies aktuale dhe të rritjes së partisë së Giorgia Melonit, në fund të vitit me gjasë nuk do të jetë më e tillë.

Nëse partia e Melonit udhëheq, jo vetëm në sondazhe, por edhe në votat në zgjedhjet e radhës, Salvini do të jetë nën presion që t’i qëndrojë marrëveshjes brenda aleancës dhe ta lejojë Melonin që të marrë detyrën e shumëkërkuar: kryeministren! “Në këtë rast është e vështirë të mendosh dikë se mund ta ndalojë për t’u bërë Kryministre”, thotë Albertazzi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat