Kryebashkiaku i Budapestit shpall kandidaturën kundër Orban

Evropë

Kryebashkiaku i Budapestit shpall kandidaturën kundër Orban

Më: 15 maj 2021 Në ora: 22:33
Gergely Karácsony

Kryebashkiaku liberal i kryeqytetit të Hungarisë lajmëroi të shtunën se do të hyjë në garën paraprake që do të përzgjedhë kandidatin i cili do të përballet me kryeministrin Viktor Orbán në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në një video të postuar në Facebook, kryebashkiaku i Budapestit Gergely Karácsony tha se do të pranonte emërimin e partisë së tij dhe do të garonte në të dyja raundet e zgjedhjeve paraprake në shtator dhe tetor, si pjesë e një opozite gjashtë-partiake që kërkon të largojë partinë në pushtet, Fidesz.

“E mora këtë vendim sepse ndjej se atdheu im është në telashe,” u shpreh Karácsony, duke shtuar se ai beson se problemi më i madh me të cilin përballet Hungaria është polarizimi që ka përçarë qytetarët e vendit. “Do të doja gjithashtu t’i shërbeja qëllimit të bashkimit të Hungarisë,” tha ai.

Karácsony, 45 vjeç, u zgjodh kryebashkiak i Budapestit në 2019, si pjesë e një përpjekjeje të gjashtë partive opozitare për të bashkuar forcat kundër Fidesz të krahut të djathtë të Orbán’s, që ka qeverisur Hungarinë me një shumicë parlamentare që prej 2010.

Ato zgjedhje vendore sollën humbje të mëdha për Fidesz në shumë qytete hungareze dhe të njëjtat parti kërkojnë të përsërisin strategjinë e tyre të bashkimit në zgjedhjet kombëtare pranverën e ardhshme, zgjedhje që pritet të jenë më konkurrueset në më shumë se një dekadë.

Koalicioni opozitar përbëhet nga të Gjelbrit, Socialistët dhe liberalët e qendrës, por gjithashtu kanë gjetur kauzë të përbashkët me partinë e krahut të djathtë, Jobbik, që përpiqet që prej 2018 të shkëputet nga e shkuara e saj radikale, antisemitike, për t’u kthyer në një parti popullore të qendrës së djathtë.

Fidesz ka kritikuar kundërshtarët e saj liberalë për bashkëpunimin me Jobbik.

Kritikët e qeverisë së Hungarisë akuzojnë Orbán se ka minuar lirinë mediatike dhe gjyqësore, duke autorizuar në mënyrë të njëanshme një kushtetutë të re dhe duke bërë ndryshime të padrejta në ligjet zgjedhore. Por Orbán këmbëngul se Hungaria po ndjek një eksperiment inovativ, në atë që ai quan “demokraci jo-liberale,” të bazuar në konservatorizmin e krishterë dhe refuzimin e fortë të emigracionit.

Një delegacion për monitorimin e zgjedhjeve nga OSBE zbuloi në 2018 se “intimidimi dhe retorika ksenofobe, media e njëanshme dhe financimet e dyshimta të fushatës” kishin kontribuuar në zgjedhje të padrejta atë vit, por sërish delegacioni e cilësoi procesin e votimit si të lirë.

Partitë opozitare në Hungari argumentojnë se ndryshimet elektorale kanë nënkuptuar koordinimin e përpjekjeve të tyre në një bllok të vetëm kundër Fidesz, si mënyra e vetme për të rrëzuar këtë parti. Sondazhet e fundit tregojnë se Fidesz dhe koalicioni opozitar janë kokë-më-kokë për mbështetjen e votuesve.

Në videon e tij të shtunën, Karácsony ngriti akuza për korrupsion ndaj Fidesz, dhe u zotua t’i shërbente “99 përqindëshit” nëse ai zgjidhet kryeministër, duke kujtuar një parullë populiste të krahut të majtë, të përdorur nga lëvizja “Pushto”, afro një dekadë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat