Francë, ish-Presidenti Nicolas Sarkozy dëshmitar në gjykatë

Evropë

Francë, ish-Presidenti Nicolas Sarkozy dëshmitar në gjykatë

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 06:31
Ish-Presidenti Sarkozy në godinën e gjykatës së Parisit

Gjykata e Parisit po zhvillon një seancë gjyqësore me pjesëmarrjen si dëshmitar të ish-Presidentit francez Nicolas Sarkozy. Gjyqi filloi në mesin e muajit maj dhe po shqyrton akuzat për financim të paligjshëm të fushatës për rizgjedhjen e tij në vitin 2012.

Dëshmia e ish-Presidentit francez Nicolas Sarkozy të martën në një gjykatë të Parisit është në kuadrin e procesit gjyqësor për financimin e paligjshëm të fushatës së tij të pasuksesshme për rizgjedhje në vitin 2012.

Kjo shënon herën e parë që zoti Sarkozy vendos të paraqitet në gjykatë që nga fillimi i gjyqit në mes të muajit maj.

Gjyqi duhej të zhvillohej që në mars, por u caktua për një datë të mëvonshme, pasi një nga avokatët e të akuzuarve ishte infektuar me koronavirusin.

"Afera Bygmalion" përqendrohet tek akuza se partia e tij, e njohur atëherë si UMP, bashkëpunoi me një firmë të marrëdhënieve me publikun për të fshehur koston e vërtetë të fushatës së tij për t’u rizgjedhur.

Në Francë ka kufizime të rrepta për shpenzimet e fushatave elektorale. Prokurorët pretendojnë se firma Bygmalion, ia faturoi shpenzimet partisë UMP dhe jo shtabit të fushatës elektorale. Ata thonë se zoti Sarkozy shpenzoi 42.8 milionë Euro gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale në 2012, gati dyfishi i shumës së lejuar.

Zoti Sarkozy ka mohuar të ketë shkelur ligjin.

Gjyqi për firmën Bygmalion vjen pasi Sarkozy u shpall fajtor më 1 mars për korrupsion dhe influencim të paligjshëm, dhe mori një dënim prej tre vjetësh.

Dënimi përfaqëson një rënie dramatike për një politikan që u shqua në skenën kombëtare dhe globale për pesë vjet.

Zoti Sarkozy ka thënë se nuk do të jetë kandidat në garën presidenciale të Francës në vitin 2022, por se do të njoftojë se cilin kandidat do të mbështesë.

Zoti Sarkozy është gjithashtu zyrtarisht i dyshuar në një hetim që vazhdon, me akuza për financim të paligjshëm nga Libia për fushatën e tij të parë presidenciale në vitin 2007 - akuza që ai i ka mohuar.

Në janar, prokurorët e krimit financiar thanë se po hapin edhe një hetim paraprak për influencim të paligjshëm në lidhje me aktivitetet e ndërmarra nga zoti Sarkozy në Rusi, shtatë vjet pasi ai u largua nga detyra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat