Loja cinike e Putinit

Evropë

Loja cinike e Putinit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 7 korrik 2021 Në ora: 20:53
Sunduesit Asad dhe Putin: Civilët po vdesin nga uria Foto: Sputnik Photo Agency / Reuters

Ata jetojnë në çadra dhe rrënoja. Shpesh ata nuk kanë asgjë më shumë se një copë bukë për të ngrënë, dhe nganjëherë as edhe atë. Kur sëmuren, rrallë ekziston dikush që të kujdeset për ta.

Rreth katër milion njerëz jetojnë në Idlib , provinca e fundit Siriane që mbahet ende nga rebelët. Dhe megjithëse kushtet janë tashmë të vështira për t'u mbajtur, ato së shpejti mund të përkeqësohen përsëri në mënyrë dramatike.

Banorët e Idlibit nuk mund të kujdesen për vetëveten. Ata varen nga ndihmat nga jashtë, të cila deri më tani kryesisht kanë arritur në provincë përmes pikës kufitare Bab al-Hawa nga Turqia . KB dhe organizatat joqeveritare transportojnë 1000 kamionë me ushqime dhe ilaçe në Idlib çdo muaj.

"Njerëzit do të vdesin në heshtje"

Tani Rusia dëshiron të shkurtojë këtë linjë të fundit të jetës. Shefi i Kremlinit Vladimir Putin po bën presion që dërgesat e ndihmave të kryhen përmes kryeqytetit të Sirisë Damask në të ardhmen, ashtu si do të dëshironte i mbrojturi i tij, diktatori Bashar al-Assad .

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të KB në fakt kishin rënë dakord në 2014 për të hapur katër posta kufitare në veri-perëndim të Sirisë, në mënyrë që të siguronin mbështetje për civilët. Vitin e kaluar, regjimi në Moskë kërcënoi të mos e zgjaste mandatin. Në fund të fundit, u ra dakord për një kompromis minimal, sipas të cilit të paktën Bab al-Hawa të mbetet i hapur. Por tani Putini gjithashtu dëshiron ta mbyllë këtë tranzicion nga 10 korriku.

Pasojat për njerëzit në Idlib do të ishin shkatërruese. E gjithë Siria tashmë po vuan nga uria. Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), 12.4 milion Sirianë kanë vështirësi për të siguruar ushqimin, rreth dy të tretat e popullsisë dhe 4.5 milion më shumë se një vit më parë. Çmimet e ushqimeve u rritën 247 për qind në vitin 2020.

Amnesty International paralajmëron se nëse Bab al-Hawa mbyllet, rreth një milion njerëz do të priten nga ushqimi, uji dhe ilaçet që do të ishte një goditje . "Njerëzit në Idlib nuk kanë zë", thotë Huda Khayti, drejtoresha e një qendre të grave në Idlib, "Deutsche Welle". "Nëse nuk depërtojnë ndihmat, atëherë ata do të vdesin në heshtje - ose nga uria ose nga sëmundjet."

Asad duket se po synon pikërisht atë. Ai vazhdimisht i detyronte të vuanin nga uria qytetet dhe komunitetet në një mënyrë të shënjestruar. Ushtria e tij u përpoq vite më parë për të rimarrë Idlibin nga rebelët, i cili në fund të fundit dështoi kryesisht për shkak të rezistencës nga Turqia. Sidoqoftë, Asad tashmë e ka bërë të qartë se ai në fund të fundit dëshiron ta kthejë të gjithë vendin, përsëri nën kontrollin e tij - pa marrë parasysh se çfarë kostoje do të ketë.

Komuniteti botëror shumë shpesh ka injoruar vuajtjet e Sirianëve

Komuniteti botëror nuk duhet ta lejojë që të ndodhë kjo. Mbi të gjitha, BE dhe SHBA duhet të bëjnë presion mbi Putinin, për ta bërë atë të pajtohet me një zgjatje të mandatit të KB. Putini do të donte që Perëndimi të kontribuojë financiarisht në rindërtimin e Sirisë. Homologët e tij duhet t'ia bëjnë të qartë atij, se kjo as nuk mund të negociohet për sa kohë që mbrojtja e civilëve në Siri nuk është e garantuar. Duhet menduar gjithashtu, për sanksionet kundër Moskës në Bruksel dhe Uashington, nëse Rusia vazhdimisht bllokon ndihmat për Sirinë.

Turqia, fuqia më e rëndësishme mbrojtëse e rebelëve në Idlib, është gjithashtu e sfiduar. Presidenti Rexhep Tajip Erdoğan parandaloi një pellg gjaku duke luftuar kundër ideve të Putinit dhe Asadit me një armëpushim për Idlib marsin e kaluar, i cili po qëndron pak a shumë deri më sot. Qeveria turke ka një interes të madh për të siguruar që qindra mijëra njerëz të kenë mbrojtje në Siri, që të mos bëjnë rrugën e tyre për në Turqi përsëri. Ajo, gjithashtu, duhet të veprojë ndaj veprimeve të Putinit, për të mbajtur të hapur kalimin kufitar Bab al-Hawa.

Komuniteti botëror shumë shpesh ka injoruar vuajtjet e Sirianëve në vitet e fundit. Nëse ky komunitet nuk e detyron Putinin të heqë dorë nga qëllimet e tij në negociatat e mandatit të KB, do të jetë bashkëpunëtor në një katastrofë tjetër humanitare./Nga Maximilian Popp, nga gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat