Zjarret në Turqi shihen edhe nga sateliti

Evropë

Zjarret në Turqi shihen edhe nga sateliti

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 11:11
Zjarret në Oymapinar të Turqisë

Nga disa pamje satelitore shihet qartazi shkatërrimi i shkaktuar nga zjarret vdekjeprurëse, të cilat janë përhapur në pjesën jugore të Turqisë.

Deri më tani janë raportuar katër viktima, ndërsa zjarret kanë shkatërruar shtëpi e shumë njerëz janë detyruar të evakuohen nga fshatrat dhe nga qendrat e pushimeve.

Në mesin e viktimave janë një burrë 82-vjeçar, një çift dhe një zjarrfikës vullnetar, i cili po u dërgonte ujë kolegëve të tij. Ai u përfshi në një aksident me motoçikletë dhe vdiq në zjarr, shkruan Sky News.

Image

Ndonëse dhjetëra zjarre tashmë janë nën kontroll, zjarrfikësit po e vazhdojnë luftën me flakët në 14 vende të gjashtë provincave.

Në ndihmë Turqisë i kanë dalë disa shtete të rajonit. Rusia dhe Ukraina kanë dërguar aeroplanë për t’i luftuar zjarret nga ajri, ndërsa Azerbajxhani ka njoftuar se do të dërgojë qindra pjesëtarë të ekipeve emergjente, helikopterë dhe pajisje speciale. Edhe Greqia fqinje ka ofruar asistencë.

Kryetari i qytetit Marmaris ka paralajmëruar se nuk mund ta përjashtojë mundësinë e sabotimit si shkak për një zjarr në një qendër të pushimeve, ndërsa një ndihmës i lartë i Presidentit Rexhep Erdogan tha: “Ata që janë përgjegjës do të japin llogari për sulmet kundër natyrës dhe pyjeve.”

Image

Zjarret në natyrë janë të shpeshta në rajonet turke të Mesdheut dhe Egjeut gjatë muajve të thatë të verës, ndonëse faji për disa zjarre në të kaluarën u është lënë zjarrvënies së qëllimshme ose militantëve kurdë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat