Fituesit, humbësit dhe të shtypurit e zgjedhjeve ruse

Evropë

Fituesit, humbësit dhe të shtypurit e zgjedhjeve ruse

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 14:26
Anëtarët e një komisioni zgjedhor lokal zbrazin një kuti votimi pas ditës së fundit të zgjedhjeve parlamentare tre-ditore, në Moskë, 19 shtator 2021

Partia qeverisëse, Rusia e Bashkuar, ka marrë më pak vota se katër vjet më parë, por megjithatë arriti të mbajë shumicën e saj kushtetuese në dhomën e ulët të Parlamentit të Rusisë.

Zgjedhjet në Rusi u shoqëruan me akuza për parregullsi në votime dhe manipulime të votave.

"Një nga zgjedhjet më të ndyra në historinë ruse”, i quajti një organizatë e pavarur monitoruese, Golos.

Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara dënuan klimën e "frikësimit" në prag të votimit.

Zgjedhjet shihen gjerësisht si një pjesë e përpjekjeve të presidentit rus, Vladimir Putin, për të forcuar kontrollin e tij në pushtet përpara një kandidimi të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Fushata zgjedhore u menaxhua me kujdes që nga fillimi duke ndaluar opozitën kryesisht nga kandidimi dhe duke goditur kundërshtarët e qeverisë.

Me 99.7 për qind të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha më 20 shtator se Rusia e Bashkuar kishte fituar 49.84 për qind të votave. Rivali i saj më i ngushtë, Partia Komuniste, kishte 18.95 për qind dhe Partia nacionaliste Liberal Demokratike mori 7.50 përqind. Dy parti të tjera: Rusia e Drejtë mori 7.45 për qind dhe një parti e re, Njerëzit e Rinj fitoi 5.33 për qind.

“Njerëzit e Rinj”, një parti e formuar me mbikëqyrjen e Kremlinit për të futur fytyra të reja në politikë, pritej të bëhej partia e vetme e re që do të hyjë në parlament.

Përpara se të mbaheshin zgjedhjet, terreni ishte pastruar pothuajse nga të gjithë kandidatët e vërtetë të opozitës së pavarur.

Organizata më e respektuar ndërkombëtare që vëzhgon zgjedhjet: Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) nuk ishte e pranishme për të monitoruar procesin zgjedhor.

Derisa rusët po reflektojnë për këtë periudhë të çrregullt dhe të errët zgjedhore, ja çfarë duhet të dini për votimin.

Fituesit

Partia e cila gëzon mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, ka pasur disa telashe para zgjedhjeve.

Hulumtimet tregonin se kishte një rënie të përkahjes ndaj saj. Ndikim në këtë kishin edhe publikimet për korrupsion të bëra nga ekipi i udhëheqësit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny.

Gati një dekadë më parë Navalny e kishte quajtur këtë parti si "partia e mashtruesve dhe hajdutëve".

Autoritetet ruse ndërmorrën një goditje masive ndaj lëvizjes së Navalny dhe kundër opozitës më të gjerë në Rusi duke u pamundësuar të kandidojnë në zgjedhje.

Ruajtja e shumicës në dhomën e ulët të parlamentit e bën fitues edhe vetë Putinin, i cili përmes këtij organi legjislativ kishte çuar përpara nismat e diskutueshme si referendumi i dyshimtë i vitit të kaluar për rivendosjen e kufijve të mandatit të tij presidencial dhe hapjen e rrugës që ai të sundojë potencialisht deri në vitin 2036.

Humbësit

Kjo ka qenë një periudhë e vështirë për opozitën e cila është përballur me një fushatë arrestimesh masive për çështje penale të ngritura nga autoritetet.

Fushata kundër opozitës është zhvilluar në gjithë vendin.

Lideri i opozitës, Aleksei Navalny, që nga muaji shkurt është në burg.

Të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë larguar nga vendi që kur rrjeti i tij u cilësua një "organizatë ekstremiste" dhe u shpall joligjore nga qeveria në muajin qershor.

Analistët kanë thënë se ishin pikërisht zgjedhjet e muajit shtator ato që i nxitën autoritetet të shpejtojnë një luftë të ashpër ndaj kritikëve dhe aktivistëve të opozitës.

Në zgjedhjet e mëparshme ruse, grupet opozitare kishin paraqitur kandidatë në të gjithë vendin, megjithëse shumica e tyre u përballën me pengesa serioze që ua vështirësuan fushatën.

Këtë vit, megjithatë, u lejuan vetëm një numër shumë i vogël që të kandidojnë.

Përpara zgjedhjeve, në një mesazh për mbështetësit në blogun e Navalnyt shkruhej "Nëse Rusia e Bashkuar fiton, vendi do të humbë edhe pesë vjet dhe do të përballet me pesë vjet të tjera të varfërisë dhe shtypjes".

Mungesa e ndonjë proteste të madhe gjatë ditëve të votimit nuk është shenjë e mirë për opozitën e cila shumë shpesh është mbështetur në akvitizmin në rrugë për të ushtruar presion mbi pushtetin.

Mbase, për rrjetin e Navalnyt tashmë është e pamundur që të organizojë protesta për të kundërshtuar zgjedhjet, të së njëjtës madhësi siç i kishte mbajtur pasi Navalny u arrestua në janar. Dhe aq më pak sikurse ato të vitit 2011-2012 të cilat i kishte organizuar Navalny pas zgjedhjeve të diskutueshme të përgjithshme.

Pra, derisa partia në pushtet përgatitet të festojë fitoren e saj, opozita mbase nuk ka ide për ta rrëzuar atë. Të paktën për momentin.

Të shtypurit

Shpresa më e madhe e opozitës për të ndikuar në rezultatet e zgjedhje ishte përmes strategjisë së Navalnyt “Votimi i Mençur”.

Përmes kësaj fushate synohej të udhëzoheshin votuesit që të mbështesin kandidatët të cilët do të mund të mposhtnin kandidatët e Rusisë së Bashkuar në rrethe të ndryshme të vendit.

Vitin e kaluar, fushata u promovua përmes postës elektronike dhe mediave sociale.

Këtë vit, ekipi i Navalny investoi në një aplikacion të teknologjisë së lartë të cilin mund ta shkarkonin qytetarët në pajisjet e tyre.

Por, më 17 shtator, kompanitë Apple dhe Google fshin aplikacionin nga platformat e tyre. Me sa duket këtë veprim ato e morën nën presionin e Kremlinit.

Gjithashtu YouTube në pronësi të Google hoqi një video të rëndësishme nga ekipi i Navalny, e cila promovonte fushatën e tyre të “Votimi i Mençur”.

Aplikacioni shumë i popullarizuar në Rusi, Telegram, gjithashtu vendosi kufizime të ngjashme.

“Një akt i turpshëm i censurës politike", i quajti veprimet e kompanive të teknologjisë, ndihmësi i Navalnyt, Ivan Zhdanov.

Lëvizja e Nalavnyt mbështetej shumë në platformat e mediave sociale për të shtyrë përpara agjendën e tyre. Shumë analistë dhe aktivistë të opozitës i përshkruan kufizimet e kompanive të teknologjisë si një moment vendimtar për një lëvizje opozitare tashmë të goditur rëndë nga autoritetet.

Si Apple ashtu edhe Google janë përballur me kritika që kur vendimet e tyre u bënë publike.

Një dekadë më parë, Moska ishte tronditur nga protestat masive antiqeveritare pas zgjedhjeve të përgjithshme. Ai proces zgjedhor ishte shoqëruar gjithashtu me akuza të gjera për manipulime.

Në atë kohë figura e Navalnyt u katapultua si një lider i opozitës.

Në Bjellorusinë fqinje pas zgjedhjeve të gushtit të 2020, protestat masive dhe kundërshtimet e rezultatit zgjedhor e kanë lëkundur shumë regjimin e diktatorit, Aleksandr Lukashenka.

Kremlini nuk donte të përsëriteshin skenare të tilla këtë vit.

Para se të mbaheshin zgjedhjet, shumë analistë parashikuan se autoritetet do të bënin çmos që shkeljet në ditën e zgjedhjeve të mos bëheshin publike.

Gjatë tri ditëve të votimit, mediat sociale kanë qenë të mbushura me pamje të manipulimeve të pretenduara zgjedhore nga pjesë të ndryshme të Rusisë.

Ende nuk dihet nëse përmes këtyre manipulimeve synohej t’i sigurohej fitorja e partisë në pushtet, apo ato thjesht kishin të bënin simptoma të lokalizuara të problemeve më të gjera dhe të vazhdueshme të proceseve zgjedhore ruse.

Duke pasur parasysh që organizata joqeveritare kryesore e vendit për monitorimin e zgjedhjeve, Golos, është vendosur në listën e "agjentëve të huaj" nga autoritetet ruse, ne kurrë nuk mund ta dimë përgjigjen për këtë.

Një provë për 2024?

Derisa për Kremlinin sigurimi i një shumice të partisë Rusia e Bashkuar ishte përparësia e menjëhershme, testi vërtet i madh do të vijë pas tre vjetësh, më 2024.

Atëherë skadon mandati aktual i Putinit.

Tani për tani, është një pyetje e hapur nëse ai do të synojë edhe një mandat tjetër, për çka parlamenti i kishte hapur rrugën vitin e kaluar.

Deri në vitin 2024, Putin do të jetë 71 vjeç dhe do të ketë mbajtur pushtetin si president ose kryeministër për 24 vjetët e mëparshme. Gjatë shtatë vjetëve të fundit mbështetja e publikut ndaj tij ka qenë e qëndrueshme.

Por, nëse ajo bie ndjeshëm gjatë dy vjetëve të ardhshme, Kremlinit mund t’i duhet të punojnë jashtë orarit për të siguruar fitoren e tij.

Një skenar tjetër i besueshëm është që Putini të marrë një rol "mbi-presidencial", duke e lejuar atë të largohet nga presidenca, por të ruajë një lloj autoriteti përfundimtar.

Por, për këtë do të nevojiteshin më shumë ndryshime kushtetuese. Një çështje tjetër problematike do të ishte edhe gjetja e një zëvëndësuesi të tij.

Sistemi elektronik i votimit është kritikuar në masë të madhe për mundësinë që ofron për manipulim. Mbase ai do të jetë pjesë kyçe e arsenalit elektoral edhe në vitin 2024./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat