Certifikata COVID-19 bëhet e detyrueshme për punëtorët italianë

Evropë

Certifikata COVID-19 bëhet e detyrueshme për punëtorët italianë

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 11:24
Certifikata e vaksinës, foto nga arkivi

Certifikata shëndetësore COVID-19, nga sot, është bërë e detyrueshme për të gjithë punëtorët në Itali.

Me këtë certifikatë, të gjithë atyre u kërkohet të dëshmojnë se janë vaksinuar kundër sëmundjes, janë shëruar nga infeksioni, ose kanë rezultuar negativë ndaj tij.

Më shumë se 85% e italianëve të moshës mbi 12 vjeç kanë marrë së paku një dozë të vaksinës anti-COVID, por rreth tre milionë punëtorë vlerësohet se janë ende të pavaksinuar.

Vendimi për ta bërë certifikatën të detyrueshme është një nga masat më të ashpra në botë kundër sëmundjes COVID-19.

Një punëtor pa të rrezikon të pezullohet nga puna pa pagesë dhe mund të gjobitet deri në 1,500 euro.

Sipas një sondazhi të kryer nga qendra Ipsos, dy të tretat e italianëve konsiderojnë se certifikata e tillë është e nevojshme.

Megjithatë, kundërshtarët kanë organizuar protesta në Romë, më 9 tetor, ndërsa tubime të tjera priten edhe gjatë ditës së sotme.

Italia e ka bërë të detyrueshme certifikatën për mësuesit dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik qysh më herët, ndërsa punonjësve të kujdesit shëndetësor u është kërkuar vaksina qysh në prill.

Certifikata kërkohet për hyrjen edhe në bare, restorante, kinema dhe stadiume futbolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat