Republika Sërpska sfidon Kushtetutën e Bosnjës për çështjen e barnave

Evropë

Republika Sërpska sfidon Kushtetutën e Bosnjës për çështjen e barnave

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 19:28
Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska, 20 tetor, 2021.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës miratoi të mërkurën një ligj për produktet dhe pajisjet mjekësore.

Me ligjin e ri parashihet formimi i Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore i Republikës Sërpska.

Sipas ligjit, Agjencia do të jetë “një organizatë e pavarur administrative dhe do të ketë statusin e një entiteti juridik”.

Krijimi i një agjencie të tillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, e cila ka dalë nga Marrëveshja e Dejtonit.

Marrëveshja e Dejtonit i ka dhënë fund luftës në Bosnje më 1995 dhe e ka ndarë këtë vend në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Sërpska.

Sipas Kushtetutës, këto dy entitete nuk kanë të drejtë t’i marrin përsipër kompetencat e shtetit ose ato kompetenca që janë transferuar në nivelin shtetëror.

Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore e Bosnje e Hercegovinës është themeluar në vitin 2009.

Ajo është organi i vetëm rregullator që funksionon në nivel shtetëror dhe ka marrë përsipër shumicën e detyrave të sektorit të farmacisë, që deri më 2009 janë kryer nga entitetet.

Agjencia është krijuar pasi Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës ka miratuar Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.

Ligji për Barnat, i cili është i domosdoshëm për punën e Agjencisë, mund të ndryshohet vetëm në Asamblenë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës.

Asambleja Kombëtare e Republika Sërpskës ka 81 deputetë dhe blloku i shumicës udhëhiqet nga Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.

Dodik është anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, i cili kërkon transferimin e të gjitha kompetencave nga shteti në nivel të entitetit.

Dodik po ashtu ka thënë se Republika Sërpska do të shkëputet nga Bosnje e Hercegovina nëse këto kompetenca nuk i kthehen entitetit.

Transferimi i kompetencave nga shteti i Bosnjës tek entitetet nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjës.

Partitë opozitare u larguan nga sesioni i Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskës përpara votimit të së mërkurës.

Përfaqësuesit serbë në institucionet kombëtare të Bosnjës e kanë bojkotuar punën e këtyre institucioneve që nga fundi i korrikut, kur Valentin Inzko, ish-përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.

Pasardhësi i Inzkos, Christian Schmidt, tha të mërkurën se “Ligji i Republikës Sërpska për Produktet dhe Pajisjet Mjekësore është një sfidë serioze për kompetencat dhe funksionimin e duhur të Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të Bosnje e Hercegovinës”.

“Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, entitetet janë të detyruara që të respektojnë plotësisht Kushtetutën dhe vendimet e institucioneve shtetërore”, tha Schmidt./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat