Princi William: Ka “arsye për të pasur shpresë” rreth të ardhmes së planetit

Evropë

Princi William: Ka “arsye për të pasur shpresë” rreth të ardhmes së planetit

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 23:36
Princi William

Princi britanik William mendon se ka “arsye për të pasur shpresë” rreth të ardhmes së planetit.

Princi 39-vjeçar ka këmbëngulur se çështjet mjedisore duhet të trajtohen me urgjencë, por ka thënë se mendon që nisma e tij e fundit “Earthshot Prize” - e cila u ofroi pesë fituesve nga një milion funte për t’i realizuar idetë që kanë për ta ndihmuar globin - tregon se është e mundur që të ekzistojë një “e ardhme më e qëndrueshme”.

“Urgjenca e situatës nuk mund të mbivlerësohet. Por përmes ‘Earthshot Prize’ dua t’u tregoj të gjithë njerëzve në botë pse ka arsye për të shpresuar. Duke parë zgjidhjet e jashtëzakonshme që janë zhvilluar nga fituesit e parë - dhe të gjithë finalistët tanë - na tregon se ka përgjigje”, ka thënë ai për revistën “People”. “Duke i ditur këto përpjekje dhe duke i mbështetur dhe shkallëzuar ato për të qenë më të mirat që mund të jenë, mund ta shtojmë besimin se një e ardhme më e shëndetshme dhe më e qëndrueshme është në dorën tonë”.

Në fund të ngjarjes më 17 tetor, Williami, i cili në këtë ngjarje është shoqëruar nga bashkëshortja e tij Catherine, Dukesha e Cambridges, ka njoftuar se ceremonia e ardhshme do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Princi ishte “i emocionuar” për punën e bërë gjatë këtij viti.

“Ky është vetëm fillimi. Jam i emocionuar që në vitin 2022, ‘Earthshot Prize’ do të shkojë në Shtetet e Bashkuara, ku do të vazhdojmë të përhapim këtë mesazh të urgjencës, optimizmit dhe veprimit”, ka thënë ai.

Në këtë ngjarje William skemën ua kushtoi të rinjve.

“Dua të them diçka për të gjithë të rinjtë që na shikojnë sonte. Për një kohë të gjatë, nuk kemi bërë aq sa duhet për ta mbrojtur planetin për të ardhmen tuaj - por ‘Earthshot’ është për ju”, ka thënë ai. “Në 10 vjetët e ardhshëm do të veprojmë. Do të gjejmë zgjidhje për ta përmirësuar planetin. Ju lutemi vazhdoni të mësoni, vazhdoni të kërkoni ndryshime dhe mos e humbni shpresën. Ne do të përballemi me këto sfida”, ka përfunduar princi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat