Erdogan nuk shkon në samitin e klimës "për çështje sigurie"

Evropë

Erdogan nuk shkon në samitin e klimës "për çështje sigurie"

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 14:39
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi të hënën (1 nëntor) se ka anuluar pjesëmarrjen në konferencën për klimën në Glasgou të Skocisë për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me protokollin e sigurisë.

Ai nuk dha më shumë detaje, por deklaroi para gazetarëve në bordin e aeroplanit të tij se organizatorët e samitit nuk kishin arritur të adresonin shqetësimet që delegacioni i tij kishte pasur për çështje të sigurisë.

“Kërkesat tona nuk u plotësuan prandaj ne hoqëm dorë nga pjesëmarrja. Nuk ishte vetëm çështje e sigurisë por edhe reputacionit të vendit tonë”, citohet të ketë thënë Erdogan, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Mediumi me bazë në Londër, Middle East Eye, ka cituar zyrtarët turq të kenë thënë se organizatorët kishin kufizuar numrin e pjesëmarrësve nga Turqia.

Organizatorët nuk e kanë komentuar këtë çështje, raporton AFP.

Konferenca për Klimën në Glasgou ka nisur më 31 tetor dhe vazhdon deri më 12 nëntor. Shkencëtarët kanë thënë se mbajtja e temperaturës mesatare globale nën 1.5 gradë Celsius do të shmangë ndikimin më të keq klimatik.

Parlamenti i Turqisë këtë vit ratifikoi marrëveshjen e Parisit për klimën e cila shërben si bazë për vendet që po bëjnë përpjekje për të frenuar ngrohjen globale.

Erdogan ka theksuar shqetësimin e tij për çështjet mjedisore përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen brenda dy viteve të ardhshme.

Raportet mes Turqisë dhe vendeve perëndimore janë përkeqësuar në shumë drejtime.

Erdogan muajin e kaluar kërcënoi se do të dëbonte 10 ambasadorë perëndimorë për deklaratën e tyre të përbashkët në mbështetje të një lideri të burgosur të shoqërisë civile. Pastaj, Erdogan hoqi dorë nga kërcënimi i tij pasi ambasadat lëshuan deklarata publike duke thënë se nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë.

Blerja e sistemeve ruse të mbrojtjes nga ana e Turqisë gjithashtu ka tensionuar raportet e këtij vendi me aleatët e NATO-s, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një takimi të zhvilluar më 31 tetor në Romë të Italisë, presidenti amerikan, Joe Biden i ka thënë Erdoganit se të dyja vendet duhet të shmangin krizat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat