Në Malin e Zi shënohet një rritje e theksuar e të infektuarve me COVID-19

Evropë

Në Malin e Zi shënohet një rritje e theksuar e të infektuarve me COVID-19

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 20:28
Instituti i Shëndetit Publik, Mali i Zi

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi, njoftoi të enjten se gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit kanë vdekur gjashtë persona, nga të cilët më i riu ishte 56 dhe më i moshuari 94 vjeç.

Të enjten është shënuar një rritje e dukshme e numrit të të infektuarve. Brenda një dite janë regjistruar 727 raste të reja.

“Laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, si dhe laboratorët e tjerë publikë dhe privatë, që merren me diagnostikimin e infeksionit me koronavirus përfunduan analizën dhe dorëzuan rezultatet për 3108 mostra për COVID-19 . Janë diagnostikuar gjithsej 727 raste të reja pozitive me infeksionin SARS-CoV-2”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Numri i përgjithshëm i rasteve aktive me COVID-19 në Mal të Zi është 5093, ndërsa që nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara është 146663.

Ndërkaq, numri i viktimave nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë është 2125 persona.

Dozën e parë të vaksinës e kanë marrë 258.337 persona ose 41.7% dhe të dytën 244.454 ose 39.4% të popullsisë së përgjithshme.

Vaksinimi masiv kundër COVID-19 në Malin e Zi filloi më 4 maj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat