Protestat në Beograd vazhdojnë, sot ishte “kundër dhunës së regjimit”

Evropë

Protestat në Beograd vazhdojnë, sot ishte “kundër dhunës së regjimit”

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 19:16
Protesta në Serbi

Protesta kundër dhunës së regjimit ka nisur sonte në orën 18:00 në Sheshin e Republikës në Beograd.

Sipas mediave serbe, ajo është organizuar nga Lëvizja “Të mos Mbysim Beogradin” dhe të tjera ndërkohë që të pranishëm janë disa policë me uniformë dhe mijëra qytetarë.

Protesta u organizua si reagim ndaj dhunës së djeshme të drejtuar ndaj qytetarëve të cilët dje bllokuan qarkullimin nëpër Serbi.

Protestën e sotme e ka përkrahur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac.

“Ne jemi gjithmonë aty ku mbrohet interesi publik. Ne nuk na intereson kush fton, kush është organizator, na intereson vetëm të mbrojmë interesin publik. Ne jemi këtu për tu solidarizuar me të gjithë ata që janë viktima të këtij regjimi”, citohet të ketë thënë Lutovac.

Ndryshe, protesta e ditës së sotme vjen pas një proteste të madhe të qytetarëve, aktivistëve mjedisorë dhe organizatave që u zhvillua të shtunën në qytete të ndryshme të Serbisë.

Siç ishte thënë të shtunën, qytetarë të shumtë kanë dalë për të protestuar kundër ardhjes së kompanisë Rio Tinto për gërmimin e Jadaritit (mineral silikat monoklinik i bardhë), por edhe kundër Ligjit të miratuar për Referendum.

Përveç rrugëve Beogradit, janë bllokuar edhe disa të tilla në Novi Sad dhe qytete të tjera të Serbisë. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat