Ukraina sekuestron pronat e ish-presidentit Petro Poroshenko

Evropë

Ukraina sekuestron pronat e ish-presidentit Petro Poroshenko

Më: 6 janar 2022 Në ora: 16:49
Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Një gjykatë në Ukrainë ka ngrirë pronat e ish-presidentit, Petro Poroshenko, si pjesë e hetimeve që autoritetet kanë nisur kundër atij, lidhur me akuzat për tradhti të lartë.

Poroshenko mohon këto akuza.

“Gjykata ka vendosur që të sekuestrojë pronën e dyshuar, që i takon atij”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përmes një deklarate të lëshuar më 6 janar.

Byroja Shtetërore për Hetime tha muajin e kaluar se ndaj Poroshenkos kanë nisur hetime zyrtare për tradhti të lartë, duke e akuzuar atë për “lehtësim të aktiviteteve” për separatistët që luftojnë me forcat qeveritare në konfliktin në lindje të Ukrainës, që shpërtheu më 2014, e që deri më tani ka marrë jetën e mbi 13,200 qytetarëve.

Gjatë presidencës së tij, Poroshenko dyshohet se ka ndihmuar separatistët që t’i shesin qymyr Kievit në vlerë prej 54 milionë dollarësh, në periudhën 2014-2015, u tha në deklaratë.

Poroshenko ka mohuar këto pretendime dhe ka akuzuar autoritetet ukrainase për kalimin e “vijave të kuqe” me ngritjen e akuzave ndaj tij për tradhti të lartë.

Muajin e kaluar, prokurorët kërkuan nga gjykata ukrainase që ta arrestojnë Poroshenkon dhe të vendosin vlerën prej 37 milionë dollarësh për lirim me kusht.

Poroshenko, që prej dhjetorit të vitit të kaluar, gjendet jashtë Ukrainës dhe ende nuk ka komentuar për vendimin e sotëm.

Ai tashmë është ligjvënës dhe lider i opozitës. Nëse gjendet fajtor për akuzat, ai mund të dënohet deri me 15 vjet burgim.

Poroshenko ka thënë se planifikon që të kthehet në Ukrainë më 17 janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat