Bisedimet për uljen e tensioneve Rusi-Ukrainë barten në Bruksel

Evropë

Bisedimet për uljen e tensioneve Rusi-Ukrainë barten në Bruksel

Më: 12 janar 2022 Në ora: 11:47
Selia e NATO-s në Bruksel.

Bisedimet për siguri mes Perëndimit dhe zyrtarëve rusë, janë bartur të mërkurën, 12 janar, në selinë e NATO-s në Bruksel, ndonëse ka pritje të pakta për përparim.

Përfaqësuesit e 30 vendeve anëtare të NATO-s dhe Rusia, kanë nisur takimet në kuadër të Këshillit NATO-Rusi, me qëllim të uljes të tensioneve në kufirin me Ukrainën.

Ky takim zhvillohet pas rundit të parë të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Gjenevë, më 10 janar.

Këto bisedime nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje.

Në krye të agjendës është prezenca e mijëra trupave ruse afër Ukrainës dhe shqetësimet se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të ri të territorit ukrainas.

Moska ka mbledhur rreth 100,000 trupa afër kufirit të Rusisë me Ukrainën dhe në Gadishullin ukrainas të Krimesë – të aneksuar nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e shohin këtë situatë si mundësi për pushtim nga ana e Rusisë.

Zyrtarët e Perëndimit dhe analistë kanë thënë se prezenca e trupave ruse përbën një tentim për presion ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë për të arritur koncesione.

Në takimet në kuadër të Këshillit NATO-Rusi – i pari prej vitit 2019 – do të analizohet kërkesa e Moskës që NATO-ja të mos zgjerohet në lindje dhe të heqë dorë nga përparimi i bërë në Evropën Qendrore dhe atë Lindore nga viti 1990.

Ndonëse pritjet janë të ulëta, NATO-ja është duke shpresuar që të përfshijë Moskën në një dialog të vazhdueshëm dhe të shmangë përshkallëzimin ushtarak.

Shefi i Aleancës veri-atlantike, Jens Stoltenberg, ka thënë këtë javë se rezultati i mirë shënohet nëse do të ketë marrëveshje për takime të tjera.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka thënë më 11 janar se asnjë aleat i NATO-s nuk ka gatishmëri për të biseduar diçka lidhur me politikën e NATO-s për dyer të hapura.

Aleatët kanë insistuar se anëtarësimi në NATO është çështje e shteteve sovrane dhe se ato duhet të vendosin vetë.

Smith ka thënë se në takimin e 12 janarit mund të diskutohet për “reduktim të rrezikut, transparencë, kontrollin e armëve dhe tema tjera, në të cilat mund të komunikojmë me njëri-tjetrin”.

Ajo ka thënë se ndonëse NATO-ja “është e përkushtuar për dialog kuptimplotë dhe reciprok me Rusinë”, aleanca vazhdon të jetë e bashkuar “për të luftuar kërcënimet kundër aleatëve të NATO-s dhe agresionin rus kundër partnerëve tanë në Evropë”.

Para takimit, negociatorja amerikane, Wendy Sherman ka mbledhur aleatët e NATO-s, pas bisedave që ka zhvilluar me zëvendësministrin e Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të punuar në hap me aleatët dhe partnerët tanë, për kërkuar ulje të tensioneve dhe për t’u përgjigjur ndaj krizave të sigurisë, të shkaktuara nga Rusia”, ka thënë ajo.

Pas më shumë se shtatë orëve të negociatave në Gjenevë, zyrtarët amerikanë dhe ata rusë kanë thënë se duan të vazhdojnë bisedimet, ndonëse ato kanë përfunduar pa marrëveshje.

Kremlini: Nuk shohim arsye të vërtetë për të qenë optimistë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 11 janar se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë qenë të hapura dhe të drejtpërdrejta, mirëpo nuk ka pasur përparim në çështjet që Moska i konsideron urgjente.

“Nuk shohim arsye të vërtetë për të qenë optimistë”, ka thënë Peskov.

Në takimet e Këshillit NATO-Rusi, Kremlini do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko, i cili e ka përshkruar takimin si “moment të së vërtetës” në marrëdhëniet mes Rusisë dhe aleancës veri-atlantike.

Duke folur pas negociatave të 10 janarit dhe kthimit të tij në Bruksel, Grushko ka thënë se Rusia do të kërkojë përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj kërkesave të saj.

“Ne jemi për reagim konkret dhe përmbajtësor të secilit artikull të drafit të marrëveshjes ruse për garanci të sigurisë”, ka shtuar ai../REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat