Si bashkëpunoi Vulin dhe BIA serbe me shërbimet sekrete ruse?

Evropë

Si bashkëpunoi Vulin dhe BIA serbe me shërbimet sekrete ruse?

Më: 13 janar 2022 Në ora: 15:39
Aleksandar Vulin

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, i ka dorëzuar Kremlinit transkriptet e bisedave të përgjuara në Beograd mes anëtarëve të opozitës ruse, ka njoftuar politikani i opozitës ruse, Vladimir Kara-Murza. Si rezultat i këtyre veprimeve, Andrei Pivovarov ish-drejtori i OJQ-së, “Open Russia”, u arrestua në Rusi.

“Majin e kaluar, Vulin vizitoi Moskën për të dorëzuar transkriptet e takimeve tona në Beograd. Ai u takua me sekretarin e Sigurisë Kombëtare Aleksei Patrushev dhe më pas ata formuan një të ashtuquajtur grup pune për luftimin e revolucioneve me ngjyra,” deklaroi Kara-Murza për edicionin e së mërkurës të së përditshmes Nova.

Gazeta e përshkruan Kara-Murza-n si një politikan, shkrimtar dhe historian rus, i cili ishte i dobishëm për miratimin e Aktit Magnitsky në Shtetet e Bashkuara, Kanada, BE dhe Britani të Madhe – një ligj që urdhëron sanksione kundër qytetarëve rusë që shkelin të drejtat e njeriut.

Kara-Murza deklaroi se anëtarët e opozitës ruse kishin tentuar të mbanin një tubim në Moskë, por se “disa dhjetëra njësi policie të armatosur deri në dhëmbë hynë në dhomë” dhe i arrestuan ata.

Sipas tij, kjo ka bërë që ata të takohen më vonë në një hotel në Beograd. “Konferenca [jonë] zgjati një javë dhe ne vumë re menjëherë se po na ndiqnin. Të gjitha bisedat tona u regjistruan”, tha Kara-Murza, duke shtuar se Pivovarov kishte organizuar mbledhjen e tyre në Beograd.

Më parë, media raportoi se Beogradi u zgjodh pasi shtetasit rusë mund të hyjnë në Serbi pa vizë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat