Mali i Zi, nisma për votëbesimin e qeverisë aktuale pritet me protesta

Evropë

Mali i Zi, nisma për votëbesimin e qeverisë aktuale pritet me protesta

Më: 19 janar 2022 Në ora: 23:03
Mali i Zi

Deputetët e koalicionit “ E Zeza në të Bardhë” dhe partitë e opozitës, të mërkurën dhanë nismën për votëbesimin e qeverisë aktuale dhe Kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Këtë nismë e kanë nënshkruar deputetët e Lëvizjes Qytetare “URA” dhe Lidhja Qytetare Civis, që janë pjesë e pushtetit dhe partitë opozitare si Partia Socialdemokrate, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokrate të Socialistëve të Presidentit aktual Milo Gjukanoviq. Mocioni është mbështetur nga 31 deputetë.

Është e paqartë nëse vota e mosbesimit ndaj qeverisë do të ketë sukses por “me këtë nismë do të shihet se a ka mbështetjen e shumicës kjo qeveri dhe sa do të përkrahet koncepti i propozuar për një qeveri të pakicës”, thuhet në njoftimin e grupit parlamentar URA.

Për rrëzimin e qeverisë në Mal të Zi duhen 41 vota të deputetëve nga 81 sa i ka parlamenti i vendit. Kjo mund të sigurohet me 30 votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit.

Këtë nismë e mbështeti ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Karen Maddox.

“Nëse deputetët, të cilët përfaqësojnë popullin e Malit të Zi, pajtohen për të formuar një koalicion të ri, atëherë kjo është zgjedhja e tyre demokratike. Është demokracia në veprim. Politika duhet të jetë dinamike”, tha zonja Maddox.

Në anën tjetër kryeministri malazez, Zdravko krivokapiq, të mërkurën në mbrëmje ka njoftuar se i ka dorëzuar parlamentit të Malit të Zi një nismë për shkarkimin e Zv/Kryeministrit të deritashëm Dritan Abazoviq.

Në vend të zotit Abazoviq, ai ka propozuar Ministrin e Financave, Milojko Spajiq.

Ndërkohë qindra ithtarë të partive proserbe po zhvillojnë protestë para godinës së qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë. Ata brohorasin kundër Zv/Kryeministrit Dritan Abazoviq, i cili dha nismën për formimin e qeverisë së pakicës dhe kundër partive që e mbështesin atë.

Nuk dihet se kush është organizator i protestave para qeverisë, por mediat malazeze raportojnë se ata janë përkrahës të Kryeministrit, Zdravko Krivokapiq.

Të hënën kreu i Lëvizjes Qytetare URA, i cili është njëkohësisht dhe Zëvendës Zryeministër, Dritan abazoviq paraqiti konceptin e qeverisë së pakicave ku në këtë qeveri nuk do të kishte vend për Frontin Demokratik, që cilësohet parti proserbe dhe proruse si edhe për Partinë Demokratike të Socialistët të Presidentit aktual Milo Gjukanoviq, e cila ishte më shumë se 3 dekada në pushtetin e Malit të Zi.

"Koncepti ynë është i qartë - ne duam një qeveri të pakicës, të gjithë mund ta mbështesin atë, por nuk jam i sigurt nëse do të hyjnë", theksoi zoti Abazoviq.

Këtë model e mbështesin partitë e pakicave, të cilët këtë modeli të qeverisjes “në këto rrethana politike, mund t'i sjellë Malit të Zi stabilitetin aq të nevojshëm dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian. Dhe pikërisht kjo është kërkesa e qytetarëve tanë dhe nevojat e shtetit për të dalë nga spiralja e ndarjes, varfërisë dhe mungesës së shpresës”, thanë ata.

Kryetarët e tre subjekteve politike të pakicave kanë vlerësuar shumë të rëndësishëm mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për konceptin e qeverisë së pakicës. Ata kanë thënë se kjo mbështetje dhe ndihmë do të jetë e nevojshme në të ardhmen në mënyrë që sa më lehtë t’i zbatojnë reformat dhe të avancojnë drejt anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat