Friedrich Merz konfirmohet si pasues i Angela Merkel në CDU

Evropë

Friedrich Merz konfirmohet si pasues i Angela Merkel në CDU

Më: 22 janar 2022 Në ora: 21:53
Friedrich Merz

Kristiandemokratët konservatorë të Gjermanisë kanë zgjedhur Friedrich Merz, një kritik i ish-kancelares Angela Merkel, si udhëheqësin e tyre të ri me shpresën për të ringjallur partinë nga humbja e zgjedhjeve të përgjithshme vitin e kaluar.

66-vjeçari nga krahu tradicional i CDU-së u zgjodh me 95 përqind të votave, në mes të 980 delegatëve që u takuan me videolidhje të shtunën.

Pasi kishte dështuar në dy përpjekjet e mëparshme për të siguruar udhëheqjen e partisë në vitet e fundit, Merz e deklaroi veten “thellësisht të prekur” nga mbështetja e partisë.

Pas viteve të politikës centriste nën Merkelin, Friedrich Merz favorizon një rikthim në konservatorizmin tradicional për CDU-në pasi partia pësoi rezultatin më të ulët ndonjëherë në zgjedhjet e shtatorit të kaluar.

Kjo bëri që kandidati për kancelar, Armin Laschet, të jepte dorëheqje, shkruan Euronews.

“Ne duhet të jemi një opozitë e fortë,” u zotua Merz, duke shtuar se CDU po synonte fitoren në disa zgjedhje rajonale të këtij viti.

Pas 16 vitesh në pushtet në Gjermani, CDU do të jetë në opozitë për katër vitet e ardhshme. Qeveria e sapoformuar e Olaf Scholz-it përbëhet nga socialdemokratët, të mbështetur nga të gjelbërt dhe partia liberale.

Pa sulmuar drejtpërdrejt ish-kancelaren, Merz nuk e fshehu dëshirën e tij për të bërë një shkëputje të pastër nga vitet e Merkelit.

Rivaliteti i tyre daton 20 vjet më parë, kur Angela Merkel, atëherë presidente e CDU-së, e hoqi Merzin nga roli strategjik i presidentit të grupit parlamentar të partisë.

Në vitin 2009 ai u tërhoq nga jeta politike për t’u fokusuar në botën e financave. Katolik dhe i martuar, baba i tre fëmijëve, Merz zotëron gjithashtu dy avionë, njërin prej të cilëve e piloton vetë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat