BE-ja paralajmëron Rusinë për sanksione të ashpra

Evropë

BE-ja paralajmëron Rusinë për sanksione të ashpra

Më: 27 janar 2022 Në ora: 17:34
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se prania e Rusisë në kufirin e Ukrainës është shqetësuese, janë përdorur të gjitha mundësitë diplomatike për të parandaluar një konflikt të mundshëm ushtarak mes dy vendeve dhe se do të aplikohen sanksione të ashpra kundër Rusisë në rast të një konflikti të mundshëm ushtarak.

Këto komente Michel i ka bërë pas takimit me kryeministrin e Austrisë, Karl Nehammer, me ç’rast tha se prania e Rusisë në kufirin e Ukrainës është shqetësuese.

Ai bëri të ditur se kanë nisur bisedimet diplomatike në formate të ndryshme ndërsa tërhoqi vëmendjen për të vepruar në unitet brenda BE-së lidhur me tensione në fjalë.

“Të gjithë duam të jemi të përgatitur në rast të një sulmi ushtarak. Në një situatë të tillë do të detyrohemi të aplikojmë sanksione shumë të ashpra. Këtë nuk e dëshirojmë por kurrë nuk do të përulemi kur bëhet fjalë për të mbrojtur stabilitetin dhe sigurinë tonë”, deklaroi Michel.

Ai vuri në dukje se me rrugë diplomatike janë bërë përpjekje serioze për uljen e tensioneve dhe për arritjen e një rezultati derisa nënvizoi se nëse tensionet nuk zgjidhen me rrugë diplomatike është e nevojshme që brenda BE-së të veprohet në mënyrë të bashkuar dhe të vendosur si dhe të sigurohet një unitet për t’u kundërpërgjigjur.

“Një kërcënim kundër Ukrainës nënkupton Evropën madje edhe më shumë”, theksoi Michel i cili shtoi se janë në solidaritet me sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi dhe se pavarësisht zhvillimeve shumë shqetësuese po bëjnë përpjekje që ndaj problemit të gjejnë zgjidhje me rrugë diplomatike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat