Ukrainasit vlerësojnë qëndrimin e Perëndimit ndaj Rusisë

Evropë

Ukrainasit vlerësojnë qëndrimin e Perëndimit ndaj Rusisë

Më: 28 janar 2022 Në ora: 00:42
Ukrainë

Ukrainasit mirëpritën të enjten qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të mos i bërë lëshime Rusisë mes përpjekjeve diplomatike për uljen e tensioneve dhe kërcënimeve për luftë. Të mërkurën Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i dhanë përgjigje me shkrim Moskës lidhur me kërkesat e reja të Rusisë për garanci në fushën e sigurisë, pas konsultimeve me partnerët evropianë dhe Ukrainën.

Moska kërkon garanci që NATO-ja nuk do ta pranojë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike që të bëhen anëtarë dhe që aleanca të reduktojë dislokimet e trupave në vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik.

“Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk janë të gatshme të diskutojnë mundësinë e bllokimit të anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, çfarë bie ndesh me kërkesat kryesore ruse. Për mendimin tim, Ukraina nuk ka pse të shqetësohet lidhur me negociatat. Perëndimi mbetet i konsoliduar në përgjigjen ndaj kërkesave ruse dhe nuk po e lë Ukrainën nën mëshirën e Moskës para një pushtimi të mundshëm”, thotë analisti Petro Bukovkyi.

Banorët e kryeqytetit Kiev i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se e vlerësojnë qëndrimin e Perëndimit.

“Perëndimi po luan një rol shumë të rëndësishëm, sepse Rusia do të ishte më agresive ndaj Ukrainës nëse askush nuk do ta mbështeste Kievin. E vlerësoj lart këtë qëndrim. Kjo do të thotë se Perëndimi po mban një qëndrim shumë më të rreptë në mbështetjen e Ukrainës sesa tetë vite më parë”, tha Danilo Antonyuk, banor i kryqtetit ukrainas.

Maxim, banor i Kievit, thotë se qendrimi i NATO-s tregon mbështetje të fuqishme për Ukrainën.

“Kjo është një mbështetje e madhe nga vendet e aleancës. Sepse NATO-ja është një alenacë e fuqishme ushtarake dhe pa këtë mbështetje Rusia mund të tregohet më e paciptë.”

Tensionet janë rritur gjatë javëve të fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s druhen se Moksa po planifikon pushtimin e vendit fqinj, dikur pjesë e bllokut sovjetik. Rusia mohon se ka plane të tilla./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat