Moska dhe Perëndimi këmbëngulin në qëndrimet e tyre mbi Ukrainën

Evropë

Moska dhe Perëndimi këmbëngulin në qëndrimet e tyre mbi Ukrainën

Më: 29 janar 2022 Në ora: 06:16
Emmanuel Macron

Rusia tha të premten se nuk ka në plan të nisë një luftë në Ukrainë, por shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë injoruar kërkesat e saj dhe kanë lënë pak hapësirë për kompromis për zgjidhjen e krizës lidhur me Ukrainën.

Kremlini bëri të ditur se Presidenti Vladimir Putin i tha Presidentit francez Emmanuel Macron se Perëndimi ka dështuar të marrë në konsideratë kushtet kryesore të Rusisë që lidhen me ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, ndalimin e dislokimit të armëve të aleancës pranë kufijve rusë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Evropa Lindore.

SHBA-ja dhe NATO i hodhën poshtë zyrtarisht këtë javë kërkesat e Moskës, por Uashingtoni parashtroi fushat ku diskutimet janë të mundshme, duke ofruar shpresë se mund të kishte një mënyrë për të shmangur luftën, mes shqetësimeve për një rritje të pranisë ushtarake ruse në kufi me Ukrainën. Sipas njoftimeve më shumë se 100,000 trupave ruse janë grumbulluar në kufi.

Ndërkohë të enjten Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi Presidentin e Ukrainas Volodymyr Zelenskyy se ekziston një "mundësi reale" që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake gjatë muajit shkurt kundër ish-shtetit sovjetik. Rusia e ka mohuar vazhdimisht të ketë ndonjë plan të tillë.

Megjithatë zoti Zelenskyy, u përpoq të zvogëlonte shqetësimet mbi këtë çështje, duke thënë se alarmi perëndimor mbi një pushtim të afërt ka bërë që shumë investitorë në tregjet financiare të vendit të tërheqin paratë.

"Nuk kemi nevojë për këtë lloj paniku", tha ai në një konferencë shtypi. "Kjo u ka kushtuar shtrenjtë ukrainasve", shtoi ai.

Duke iu referuar bisedës telefonike mes udhëheqësit rus dhe atij francez Kremlini tha se Moska do të studiojë përgjigjen e SHBA-së dhe NATO-s përpara se të vendosë rreth hapave të ardhshëm të saj. Më herët gjatë ditës, Presidenti Putin zhvilloi takimin javor me Këshillin e Sigurisë. Ai nuk dha detaje mbi diskutimet, duke thënë vetëm se do të trajtoheshin çështje të politikës së jashtme. Zoti Putin nuk ka bërë asnjë koment publik në lidhje me përgjigjen perëndimore, por ministri i Jashtëm Sergey Lavrov tha se ajo lë pak mundësi për arritjen e një marrëveshjeje.

“Ata thonë se nuk do të ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe ne nga ana tjetër nuk do të ndryshojmë tona”, tha zoti Lavrov për një radio ruse gjatë një interviste të drejtpërdrejtë. "Unë nuk shoh asnjë hapësirë për kompromis këtu", shtoi ai.

“Nuk do të ketë luftë për aq kohë sa do të varet nga Federata Ruse. Ne nuk duam luftë”, shtoi ai. “Por ne nuk do të lejojmë që interesat tona të shkelen në mënyrë të vrazhdë e të injorohen”, tha ai.

Zoti Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara kishin sugjeruar që të dyja palët të bisedonin rreth kufizimeve në dislokimin e raketave me rreze të mesme veprimi, kufizimin e stërvitjet ushtarake dhe përcaktimin e rregullave për të parandaluar aksidentet mes anijeve luftarake dhe avionëve. Ai tha se Rusia i kishte propozuar diskutimet rreth këtyre çështjeve vite më parë, por Uashingtoni dhe aleatët e tij, siç tha zoti Lavrov deri më sot, nuk i kishin marrë në konsideratë.

Ndërsa përshëndeti ofertën e Uashingtonit lidhur me masat që do të garantonin ndërtimin e besimit mes palëve ai argumentoi se ato janë dytësore në raport me shqetësimet kryesore të Rusisë ndaj NATO-s. Ai vuri në dukje se marrëveshjet ndërkombëtare thonë se siguria e një kombi nuk duhet të bëhet në kurriz të të tjerëve dhe tha se ai do t’u dërgonte letra homologëve të tij perëndimorë për t'u kërkuar që të shpjegonin dështimin e tyre për të respektuar këtë premtim. Ndërsa Moska dhe Perëndimi po mendojnë mbi hapat e tyre të ardhshëm, NATO njoftoi se po përforc masat e saj parandaluese në rajonin e detit Baltik. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në gjendje gatishmërie të lartë 8,500 trupa të cilët do të dislokoheshin në çdo kohë në Evropë. Rusia ka nisur stërvitjet ushtarake që përfshijnë njësi të motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore, avionë luftarakë në Kaliningrad në Detin Baltik dhe dhjetëra anije luftarake në Detin e Zi dhe Arktik. Trupat ruse janë nisur edhe drejt Bjellorusisë për stërvitje të përbashkëta, duke rritur frikën e Perëndimit se Moska mund të inskenojë një sulm ndaj Ukrainës nga pjesa e veriore e saj. Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko tha se nuk do të ketë luftë nëse Bjellorusia ose Rusia nuk sulmohen dhe akuzoi Perëndimin se po përpiqet të "mbysë në gjak vëllazërit tanë sllavë". Pavarësisht retorikës alarmante, zyrtarët ukrainas janë përpjekur vazhdimisht të mbjellin qetësi. Zoti Zelenskyy tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Australisë, Gjermanisë dhe Kanadasë për të tërhequr disa nga diplomatët dhe vartësit e tyre nga Kievi, ishte një gabim.

"Këto ishin hapa të tepërt që nuk ndihmojnë", tha ai.

Ai argumentoi se destabilizimi i brendshëm përbën rrezikun më të madh për vendin. Ai gjithashtu shprehu keqardhje mbi atë që e quajti dështim të NATO-s për t'i ofruar Ukrainës një udhërrëfyes drejt anëtarësimit, duke thënë se aleanca duhet të deklarojë qartë nëse nuk planifikon ta bëjë pjesë të saj Ukrainën dhe të mos ofrojë premtime të paqarta.

Zoti Zelenskyy sfidoi paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara për një sulm të afërt rus, duke këmbëngulur se Kievi nuk sheh ndonjë përshkallëzim më të madh se më parë. Ai tha se përqendrimi i madh i trupave ruse mund të jetë pjesë e përpjekjeve të Moskës për të ushtruar trysni psikologjike dhe për të mbjellë panik.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksii Reznikov i tha parlamentit se numri i trupave ruse në kufi llogaritet në rreth 130,000 dhe është i njëjtë me numrin e trupave të dislokuar nga Moska pranverën e kaluar. Më në fund Rusia i tërhoqi trupat ushtarake me përfundimin e stërvitjeve masive.

"Ne nuk kemi vërejtur ndonjë aktivitet apo veprim të karakterit ushtarak që ndryshon dukshëm nga ajo që ndodhi pranverën e kaluar, me përjashtim të vendosjes (së trupave ushtarake) në Bjellorusi”, tha zoti Reznikov.

Ukraina tashmë është e rrethuar nga konflikti. Pas rrëzimit të një presidenti mik të Kremlinit në vitin 2014, Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë, një territor i Ukrainës dhe mbështeti një kryengritje në zemrën industriale lindore të vendit. Luftimet mes forcave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia kanë shkaktuar vdekjen e mbi 14,000 personave dhe përpjekjet për të arritur një zgjidhje kanë ngecur.

Gjatë telefonatës të së premtes me zotin Macron, zoti Putin foli në favor të vazhdimit të bisedimeve për një marrëveshje paqeje për Ukrainën Lindore mes Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë, bisedimet mbi të cilën kanë ngecur. Të dërguarit presidencialë nga të katër vendet u takuan të mërkurën në Paris dhe ranë dakord për një takim tjetër në Berlin pas dy javësh.

Një zyrtar francez e përshkroi bisedën mes Presidentëve Putin e Macron si serioze e plot respekt. Ai tha se ata biseduan mbi domosdoshmërinë e uljes së tensioneve. I njëjti zyrtar, i cili foli në kushtet anonimiteti tha se udhëheqësi rus nuk bëri asnjë lëshim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat