Von der Leyen: Sundimi i ligjit vs. sundimi i armës

Evropë

Von der Leyen: Sundimi i ligjit vs. sundimi i armës

Më: 1 mars 2022 Në ora: 14:55
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka përshkruar luftën ruse në Ukrainë si betejë në mes të “sundimit të ligjit dhe sundimit të armës”.

Ajo ka paralajmëruar se BE-ja nuk do të pranojë kurrë qëndrimin se Ukraina nuk ka të drejtë të ekzistojë dhe ka dënuar “agresionin e zhveshur” të presidentit rus, Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Ajo ka thënë se Moska po synon të ndajë komunitetin ndërkombëtar, mirëpo e ka arritur “krejtësisht të kundërtën” duke cituar koordinimin e bllokut evropian me aleatët.

BE-ja ka reaguar “me shpejtësi të dritës” për të prezantuar pakon më të madh të sanksioneve në historinë e bllokut, e cila do të ketë ndikim të madh në ekonominë ruse, ka shtuar ajo.

Von der Leyen ka pasur fjalë të ashpra edhe për oligarkët rusë.

“Mos u gaboni, ne do të bllokojnë edhe asetet e tyre, qofshin jahte, apo makina luksoze”.

Ajo e ka bërë edhe dallimin mes Kremlinit dhe popullit rus.

“Ekziston një Rusi tjetër përveç tankeve të Putinit dhe ne e zgjasim dorën e miqësisë për këtë Rusinë tjetër”, ka thënë mes tjerash ajo.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dëshmojë se është në anën e Ukrainës, teksa ky shtet lufton me Rusinë.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas kërkesës zyrtare që Ukraina t’i bashkohet bllokut evropian.

“Bashkimi Evropian do të jetë shumë i fuqishëm me ne, kjo është e sigurt. Pa ju, Ukraina do të jetë e vetme”, ka thënë Zelensky para Parlamentit Evropian përmes video-lidhjes.

“Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini. Dëshmojeni se jeni evropianë dhe që jeta do të fitojë ndaj vdekjes dhe drita do të fitojë ndaj errësirës. Lavdi Ukrainës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ajo çfarë po ndodh në shtetin e tij është tragjedi dhe se ukrainasit janë duke luftuar për tokën e tyre, lirinë dhe jetët.

“Askush nuk do të na thyejë, sepse ne jemi ukrainas".

Presidenti ukrainas ka thënë se Rusia ka shënjestruar edhe fëmijë dhe 16 kanë vdekur vetëm një ditë më parë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat