Si do të përfundojë lufta në Ukrainë: BBC tregon pesë skenarët

Evropë

Si do të përfundojë lufta në Ukrainë: BBC tregon pesë skenarët

Më: 3 mars 2022 Në ora: 22:04
Ukrainë, shkurt 2022

Edhe pse është ende e vështirë të parashikohet ecuria e luftës në Ukrainë, shumë gazetarë theksojnë se pavarësisht informacioneve të shumta që vijnë nga terreni, për momentin ekzistojnë pesë skenarë realistë për përfundimin e luftës në këtë vend.

Sipas analizës së BBC-së, pak njerëz mund të thonë me siguri se në cilin drejtim do të shkojë konflikti, por sipas të gjitha parametrave, rezultatet e luftës janë si më poshtë:

Një luftë e shkurtër

Sipas këtij skenari, Rusia do të intensifikojë operacionet e saj ushtarake në periudhën e ardhshme. Do të ketë më shumë sulme me artileri dhe raketa në të gjithë Ukrainën. Forca Ajrore Ruse, e cila ka luajtur një rol modest deri më tash, do të nisë sulme ajrore shkatërruese.

Gjithashtu, do të kryente sulme masive kibernetike dhe ndërprerje furnizimi me energji. E gjithë kjo do të çonte në vdekjen e mijëra civilëve. Me gjithë rezistencën e guximshme të Kievit, kryeqyteti do të dorëzohej brenda pak ditësh. Qeveria do të zëvendësohej nga një regjim kukull pro-rus.

Sipas BBC-së, kur bëhet fjalë për fatin e presidentit Zelenskyy, ai do të vritej ose do të mund të arratisej dhe të formonte një qeveri në mërgim, pra jashtë vendit. Presidenti i Rusisë Putin do të shpallte fitoren në luftë dhe do të tërhiqte një numër trupash nga Ukraina.

"Ky rezultat nuk është aspak i pamundur, por do të varet nga disa faktorë. Putini mund të arrijë ndryshimin e regjimit në Kiev, por çdo qeveri pro-ruse nuk do të konsiderohej legjitime. Një rezultat i tillë do të sillte paqëndrueshmëri dhe shanset për rilindjen e konfliktit do të ishin të larta”, raporton BBC-ja.

Luftë e gjatë

Një tjetër skenar i "krizës ukrainase" do të sillte një luftë që do të zgjaste shumë.

"Do të pasonte një rrethim i gjatë i qyteteve. Luftimet do të ishin brutale dhe do të kujtonin vitet ‘90 kur Rusia udhëhoqi konfliktin në Çeçeni", thotë BBC-ja në analizën e saj.

Edhe nëse trupat ruse do të arrinin rezultate të caktuara në qytetet ukrainase, ato do të kenë probleme për të mbajtur kontrollin.

"Ndoshta Rusia nuk mund të sigurojë trupa të mjaftueshme për të mbuluar një vend kaq të madh. Perëndimi do të vazhdojë të sigurojë municion dhe armë. Në fund të fundit, pas shumë vitesh, me udhëheqjen e re në Moskë, forcat ruse do të largoheshin nga Ukraina, të përkulura dhe të gjakosura, sikurse paraardhësit e tyre kur u larguan nga Afganistani në vitin 1989 pas një dekade luftimi kundër rebelëve”, thuhet në analizë.

Luftë evropiane

Opsioni i tretë në analizën e BBC-së përshkruan një skenar në të cilin lufta do të përhapej përtej kufijve të Ukrainës.

"Putini mund të kërkojë të rimarrë më shumë pjesë të ish-perandorisë euse duke dërguar trupa në ish-republikat sovjetike, si Moldavia dhe Gjeorgjia që nuk janë pjesë e NATO-s. Mund të ketë një llogaritje të gabuar dhe përshkallëzim. Putini mund t’i shpallë furnizimet me armë për Ukrainën si akte agresioni dhe mund të kërcënojë me hakmarrje. Mund të kërcënojë të dërgojë trupa në shtetet baltike të NATO-s për të krijuar një korridor tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit", thuhet në analizë.

Megjithatë, ky skenar do të ishte jashtëzakonisht i zymtë dhe do të rrezikonte një luftë me NATO-n.

"Sipas nenit 5 të Kartës së NATO-s, një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Putini mund të rrezikojë nëse beson se kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar pozicionin e tij”, shkruan BBC-ja.

Zgjidhje diplomatike

Pavarësisht shkatërrimit në Ukrainë, një zgjidhje diplomatike është gjithmonë një opsion që është në tryezë.

“Armët po flasin tani, por rruga drejt dialogut duhet të mbetet gjithmonë e hapur”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Dialogu midis Perëndimit dhe Rusisë sigurisht që ka vazhduar, pavarësisht konfliktit. Presidenti francez Macron foli me Putinin dhe zyrtarët rusë e ukrainas u takuan në Bjellorusi. Negociatat mund të mos kenë sjellë rezultatin e pritur, por duke rënë dakord për bisedimet, duket se Putini të paktën pranoi mundësinë e armëpushimit.

"Konsideroni këtë skenar. Lufta po shkon keq për Rusinë, sanksionet kanë filluar të ngacmojnë Moskën. Opozita në mesin e qytetarëve po rritet, ndërsa disa qese trupash po kthehen në shtëpi. Kina ndërhyn, i bën presion Moskës për kompromis, duke paralajmëruar se nuk do të blejë gaz dhe naftë ruse nëse situata nuk qetësohet”, thuhet në analizë.

Në këtë rast, Putini do të fillonte të kërkonte rrugëdalje.

Përmbysja e Putinit

Skenari i fundit ka të bëjë me politikën e brendshme ruse. Kur filloi pushtimin e Ukrainës, Putini tha se Rusia është e gatshme për çdo rezultat.

"Po sikur të humbiste pushtetin për shkak të këtij rezultati? Mund të duket e paimagjinueshme. Megjithatë, bota ka ndryshuar ditët e fundit. Profesori Lawrence Freedman nga Londra, shkroi këtë javë: "Tani ka të ngjarë që të ketë një ndryshim regjimi në Kiev dhe në Moskë”.

Ai gjithashtu shpjegon se çfarë mund të çojë në ndryshim brenda Moskës.

"Putini mund të jetë duke bërë një luftë katastrofike. Mijëra ushtarë rusë po vdesin, sanksionet ekonomike po e vrasin ekonominë. Putini po humbet mbështetjen publike. Mund të ketë një kërcënim të revolucionit popullor dhe ai po përdor forcat e sigurisë së brendshme ruse për të goditur opozitën. Perëndimi në këtë rast do e bënte të qartë se nëse Putini largohet, Rusia do të përjetonte heqjen e sanksioneve dhe rifillimin e marrëdhënieve diplomatike. Kjo tani nuk duket e mundshme, por mund të jetë e mundur nëse njerëzit që kanë përfituar nga Putini nuk besojnë më se ai mund të mbrojë interesat e tyre”, përfundon analiza e BBC-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat