Mali i Zi mbyll hapësirën ajrore për avionët rusë

Evropë

Mali i Zi mbyll hapësirën ajrore për avionët rusë

Më: 5 mars 2022 Në ora: 10:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Me vendim të Agjencisë së Aviacionit Civil të Malit të Zi dhe propozim të Ministrisë së Investimeve kapitale, hapësira ajrore e vendit u mbyll për të gjithë avionët rusë.

Ky veprim pason masat e ngjashme të sanksioneve që kanë ndërmarrë vende të shumta ndaj Rusisë. Për kontrollin e trafikut ajror të Malit të Zi dhe të Serbisë, përgjegjëse është një agjenci e përbashkët.

Por ndryshe nga Mali i Zi, Serbia nuk do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, sepse siç ka thënë, nuk do t'iu bashkohet sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Ajo së fundi ka paralajmeruar se do të shtojë numrin e fluturimeve në drejtim të Moskës.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi, ka njoftuar se ka shpallur person non grata një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë. Ministria e Jashtme, i ka dorëzuar ambasadorit të Federatës Ruse një notë zyrtare për këtë vendim, ku kërkohet që në afatin prej 72 orësh diplomati duhet të largohet nga territori i Malit të Zi.

"Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është vlerësimi i organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për aktivitetet e diplomatit rus, të cilat janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.

Sipas burimeve, diplomati rus është informator i Shërbimit të Inteligjencës së jashtme të Rusisë dhe ai ka pasur një takim me kryesuesin aktual të Parlamentit të Malit të Zi Strahinja Bullajiq, njëri nga funksionarët e Frontit Demokratik, koalicion ky pro-serb e pro-rus.

Takimi është i dokumentuar dhe për të ka qenë në dijeni dhe Agjencia kombëtare për Siguri e Malit të Zi. Supozohet se edhe forcat pro-serbe dhe pro-ruse që këto ditë po i japin përkrahje agresionit rus në Ukrainë janë duke punuar sipas instruksioneve të informatorit të ambasadës ruse.

Nga ana tjetër Mali i Zi menjëherë i mbështeti sanksionet e BE-së ndaj Rusisë si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës. Edhe zyrtarët e lartë malazezë i kanë kritikuar veprimet e Rusisë, që sipas tyre cënojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë evropiane.

Por partia pro-ruse, Fronti Demokratik dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, kritikuan reagimin e vendeve të Perëndimit dhe të zyrtarëve të lartë malazezë për ngjarjet në Ukrainë, duke i quajtur ata, qeverinë edhe opozitën në Mal të Zi "Marioneta të Perëndimit.”

Ndërkohë janë mbajtur edhe protesta në mbështetje të Rusisë në disa qytete të Malit të Zi, që cilësohen si bastione pro serbe Protestuesit mbanin pankarta me ikonografi ruse dhe serbe dhe me parulla kundër Ukrainës

Të premten në mbrëmje (4.03) një e tillë u mbajt në qytetin Bjello Pole në veri të Malit të Zi. Pjesëmarrësit mbanin flamuj të Rusisë, ata thanë se "me këtë dëshirojmë t'i dërgojmë përkrahje të fuqishme "popullit

vëlla rus”.Vlerësojmë theksuan ata që "vëllezërit rus luftojnë për ideale të ngjashme nacionale si ne serbët në Mal të Zi”.

Duke dënuar vendimin e Ministrisë së Jashtme për dëbimin e diplomatit rus, protestuesit brohoritnin "Rusia, Rusia, Krimeja ështe Kosovë, Kosova është Serbi dhe parrulla të ngjashme". Mali i Zi, viteve të fundit ka qenë në shënjestrën politike të Serbisë dhe Rusisë, dhe marrëdheniet me keto dy vende janë në nivelin më të ulët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat