Plagët e luftës në Ukrainë po thellohen edhe nga pandemia

Evropë

Plagët e luftës në Ukrainë po thellohen edhe nga pandemia

Më: 8 mars 2022 Në ora: 21:27
Ilustrim

Sistemi i kujdesit shëndetësor i Ukrainës është ende duke u përballur me pandeminë edhe pse vendi po goditet nga një konflikt ushtarak që ka çuar në një tendosje në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe ka shkaktuar mungesa në furnizime me ilaçe dhe mjete të tjera, tha të martën drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë.

“Pikëllohem shumë teksa shoh rajonin tim që, pas dy viteve të tmerrshme pandemie, tash po përballet me sulmin e armiqëve në mbi dhjetëra miliona njerëz të saj në Ukrainë dhe më gjerë,” tha drejtori rajonal i agjencisë, Dr. Hans Kluge, në një konferencë shtypi, raporton New York Times.

Javën e kaluar, Ukraina raportoi 731 vdekje nga Covid-19 – një shifër që ndoshta nënvlerëson shkallën e vërtetë të rrezikut pasi shumica e njerëzve në vend e kanë kthyer fokusin e tyre në luftë dhe përpjekje evakuimi që kur Presidenti Vladimir Putin i Rusisë filloi pushtimin e tij ushtarak më 24 shkurt.

Dr. Kluge tha se Ukraina kishte mbikëqyrur “në mënyrë të jashtëzakonshme” gjendjen me koronavirus, teksa flet për numrin e shtuar të vdekjeve nga ky virus në vend duke thënë se “Mjerisht, ky numër do të rritet ndërsa mungesa e oksigjenit vazhdon”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar 500 pompa oksigjeni në rajon, mes furnizimeve të tjera, për të ndihmuar në këtë drejtim, tha Dr. Kluge. Ai shtoi se të moshuarit tani kishin gjasa të prekeshin në mënyrë disproporcionale nga virusi, duke pasur parasysh ndërprerjet në sistemin e kujdesit shëndetësor.

OBSH-ja kishte shprehur shqetësim në fillim të këtij viti se variant ngjitës Omicron do të përfshinte Evropën Lindore, e cila ka statistika dukshëm më të ulëta të vaksinimit kundër koronavirusit se shumica e Evropës Perëndimore. Tutje, sipas OBSH-së, vetëm një e treta e popullatës mbi 60 vjeç në Ukrainë janë plotësisht të vaksinuar, shkruan NYT.

Ukraina kishte raportuar më shumë se 30,000 raste ditore në mes të shkurtit, shkallë kjo që ra në rreth 25,000 në ditët para pushtimit rus, sipas të dhënave të agjencisë.

Catherine Smallwood, zyrtare e lartë e urgjencave në OBSH, tha në një konferencë për media se shtrimet në spital si pasojë e Covid-19 në Ukrainë kishin rënë në dy javët e fundit. Ajo tha se rënia mund t’i atribuohet njerëzve që dilnin nga spitali para kohe ose si pasojë e moskujdesit për shkak të luftës.

“Ne do të inkurajonim të gjithë kolegët tanë brenda Ukrainës që të mirëmbajnë të gjitha sistemet në vend për të menagjuar pandeminë Covid-19,” tha ajo.

Në të gjithë rajonin evropian të organizatës, i cili përfshin 53 vende, vdekjet nga Covid-19 kanë rënë çdo javë që nga 10 shkurti.

“Megjithëse ky është një lajm i mirë, unë do t’u bëj thirrje vendeve të jenë optimistë dhe njëkohësisht t’i kushtojnë rëndësi vaksinimit dhe të jenë vigjilentë,” tha ai, duke shtuar se ndërsa vendet heqin masat mbrojtëse të shëndetit publik, ato duhet të jenë të përgatitura për t’i rifuqizuar shpejt nëse është e nevojshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat