Detaje për protestuesen e televizionit shtetëror rus, që doli kundër luftës në Ukrainë

Evropë

Detaje për protestuesen e televizionit shtetëror rus, që doli kundër luftës në Ukrainë

Më: 15 mars 2022 Në ora: 20:30
Marina Ovsyannikova

Një punonjëse e medias shtetërore ruse, e arrestuar pas protestës së saj kundër luftës në një emisioni lajmesh, është paraqitur në gjykatë dhe u gjobit me 280 dollarë.

Marina Ovsyannikova mbajti një parrullë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në televizionin Channel One të Rusisë të hënën, ku shkruhej në rusisht, "JO LUFTË". Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë.” Parrulla lexonte, "Rusët kundër luftës", në anglisht në fund.

Ajo u akuzua për shkelje të ligjeve të protestës. Është e paqartë nëse ajo do të përballet me akuza shtesë.

Kremlini tha të martën se veprimet e zonjës Ovsyannikova janë "huliganizëm".

Një zëdhënës i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut tha në një konferencë të martën se Rusia duhet të sigurojë që zonja Ovsyannikova "të mos përballet me ndonjë hakmarrje për ushtrimin e të drejtës së saj për lirinë e shprehjes".

Marina Ovsyannikova u shfaq papritur të hënën pas drejtueses të programit kryesor të lajmeve televizive të mbrëmjes, Vremya, teksa prezantuesja ishte ulur në tavolinën e studios duke diskutuar mbi planet e Kremlinit për të lehtësuar efektet e sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pas sulmit të saj kundër Ukrainë.

Marina Ovsyannikova bërtiti "Ndalni luftën. Jo luftë", ndërsa mbante një pankartë.

Protestuesja u shfaq për disa sekonda në ekran duke bërë thirrje kundër luftës, derisa stacioni kaloi në një kronikë për ta larguar atë nga ekrani.

Protesta e Marina Ovsyannikovas ndodhi pasi Kremlini bllokoi ose mbylli mediat e pavarura dhe e bëri të paligjshëm kundërshtimin e deklaratave të qeverisë për veprimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Novaya Gazeta, gazeta e njohur ruse e lajmeve e drejtuar nga laureati i çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, raportoi të hënën për protestën në mediat sociale, por mjegulloi shenjën që mbante zonja Ovsyannikova.

Në një postim në mediat sociale, Novaya Gazeta tha se një protestuese u shfaq pas drejtueses së emisionit të lajmeve, duke mbajtur "një poster me përmbajtje për të cilën nuk lejohemi të raportojmë nga rregullatori i medias Roskomnadzor dhe kodi penal".

Në një video të postuar në internet para protestës, Marina Ovsyannikova, thotë se ajo punon për televizionin Channel One dhe se ndihet e turpëruar që ka punuar për vite duke përhapur propagandën e Kremlinit. Ajo thotë se i jati i saj është ukrainas dhe nëna ruse.

Hetuesit të martën po përpiqeshin të përcaktonin nëse zonja Ovsyannikova mund të ndiqej penalisht sipas ligjit që hyri në fuqi tetë ditë pas sulmit të 24 shkurtit dhe lejon dënimet maksimale prej 15 vitesh burg.

Televizioni shtetëror i Rusisë përsërit vazhdimisht pretendimin e qeverisë se "operacioni i saj special ushtarak" synon të shpëtojë ukrainasit nga "neo-nazistët" dhe të mbrojë rusët nga sulmet e afërta ukrainase.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përmendi rastin e zonjës Ovsyannikova në fjalimin e tij të përditshëm në Telegram të martën, duke thënë në rusisht: "Unë u jam mirënjohës atyre rusëve që nuk pushojnë së përpjekuri për të nxjerrë të vërtetën dhe që luftojnë kundër dezinformimit"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat