Bllokohen transmetimet e kanalit “Euronews” në Rusi

Evropë

Bllokohen transmetimet e kanalit “Euronews” në Rusi

Më: 22 mars 2022 Në ora: 16:47
Foto ilustrim

Kanali ndërkombëtar i lajmeve, “Euronews” tha të martën se janë bllokuar transmetimet e tij në Rusi për shkak të mbulimit të luftës në Ukrainë. 

"Ne e dënojmë me vendosmëri këtë kufizim të patolerueshëm ndaj miliona njerëzve në Rusi, të cilët u mbështetën tek ne për të marrë lajme të paanshme", tha kanali “Euronews”, duke shtuar se autoritetet ruse e tërhoqën kanalin nga transmetimi dhe bllokuan faqet e tij të internetit në Rusi. 

“Euronews” tha se mund të ndërmarrë veprime ligjore për të rifilluar transmetimet në Rusi. Kanali “Euronews” transmetohet në 160 vende të botës. 

Presidenti rus Vladimir Putin ka intensifikuar goditjet ndaj mediave dhe individëve që nuk ndjekin linjën e tij mbi luftën e Rusisë në Ukrainë, duke bllokuar mediat sociale, si Facebook dhe Twitter, dhe duke nënshkruar një projektligj që kriminalizon përhapjen e qëllimshme të raporteve "të rreme" mbi luftën në Ukrainë. 

Kanali “Euronews” tha se kundërshtoi me forcë pretendimet ruse se po përhapte "lajme të rreme" dhe se gjoja u bëri thirrje rusëve që të protestonin kundër luftës. “Euronews” tha se po përballet me një "kërcënim të papranueshëm penal" për shkak të ligjit të ri rus mbi luftën në Ukrainë./VAO

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat