Brenda bunkerit të Volodymyr Zelensky, Daily Mail: Fle dy orë natën, ku është familja e tij e fshehur
Pesë javë pas pushtimit rus të Ukrainës, Volodymyr Zelensky kalon pjesën më të madhe të ditëve të tij në bunker, por del që të mos qëndrojë i mbyllur për më shumë se 'tre ose katër ditë' në mënyrë që të mund ta shohë vetë realitetin e situatës, thonë raportet.
Presidenti ukrainas thuhet se ka fjetur vetëm nga "dy orë në ditë" muajin e kaluar, ndërsa vendi i tij i shkatërruar nga lufta vazhdon të përballet me forcat e Kremlinit që përparojnë, shkruan Daily Mail, përcjell Bota sot.
Familja e tij dihej për herë të fundit se ishte fshehur diku në Ukrainë për t'i shpëtuar forcave të opozitës pasi ai ka frikë se gruaja dhe fëmijët e tij do të jenë objektivat kryesore në listat e vrasjeve.
Javën e kaluar u raportua se Zelensky dha intervistën e tij të parë për mediat ruse - të cilat rregullatori shtetëror i medias e ndalon transmetimin - që nga fillimi i pushtimit, me pesë gazetarë në kanale të ndryshme që premtuan të publikonin transkriptin e pa redaktuar të asaj që u tha.
Kryeministri polak kërkon ‘sanksione reale’ kundër Rusisë
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, po kërkon shtrëngim të mëtejshëm të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke thënë se masat e marra deri tani nuk janë të mjaftueshme.
Kryeministri polak u takua të shtunën në Varshavë me Presidenten e Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola, në një qendër pritjeje për refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë.
Ai tha se kursi i këmbimit të rublës ruse është kthyer në nivelin që kishte para sulmit rus në Ukrainë, një tregues që Moska sipas tij, po i shpëton ndëshkimit nga sanksionet.
“Kjo do të thotë se të gjitha masat ekonomike nuk kanë funksionuar siç do të dëshironin disa politikanë”, tha Morawiecki.
Morawiecki tha se “nuk do të ketë kthim në normalitet” për sa kohë që sovraniteti i Ukrainës kërcënohet dhe bëri thirrje për vendosjen e “sanksioneve reale” ndaj Rusisë.
Në Poloni aktualisht janë më shumë se 2.4 milionë refugjatë nga Ukraina, më shumë se çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian.
Ngrihet flamuri i Ukrainës mbi Çernobil, u këndua edhe himni
Flamuri ukrainas është ngritur mbi termocentralin bërthamor të Çernobilit pas tërheqjes së forcave ruse.
Kështu tha të shtunën ndërmarrja shtetërore që mbikëqyr centralet bërthamore.
“Sot, më 2 prill, në orën 11:00, flamuri ukrainas u ngrit mbi termocentralin e Çernobilit dhe u këndua himni”, shkruan CNN.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit mbi Çernobil ishte i gjithë stafi i termocentralit të cilët kanë punuar që nga 24 shkurti, kur forcat ruse filluan pushtimin.
Ukrainasit s’ndalen me traktorë, pamje tjera duke e tërhequr tankun
Që nga fillimi i agresionit rus mbi Ukrainë, vazhdimisht kanë qarkulluar pamje të ukrainasve me traktorët e tyre duke i tërhequr tanket ruse.
Një video-incizim tjetër shfaq një tank i cili tërhiqet nga një traktor diku në Ukrainë.
Nga pamjet shihet poashtu edhe një ushtar duke qëndruar brenda mjetit ushtarak i cili nuk dihet nëse i takon ushtrisë ruse apo asaj ukrainase.
Ne ju kemi treguar për përpjekjen e rinovuar të sotme të Kryqit të Kuq për të arritur në qytetin e shkatërruar të Mariupolit. Pra, ia vlen të vlerësohet pse Rusia e konsideron qytetin port jugor kaq të rëndësishëm, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Nëse Mariupol bie, do t'i jepte Rusisë kontrollin e një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe zonave në Luhansk dhe Donetsk të mbajtura nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Lidhja e Krimesë me Rusinë kontinentale nëpërmjet zonave të kontrolluara nga rebelët do ta bënte shumë më të lehtë për Rusinë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në dhe nga Krimea. Rusia e ka kërkuar këtë që nga viti 2014, kur filloi konflikti në lindje.
Aktualisht, gadishulli është i lidhur me Rusinë nëpërmjet një ure të vetme, e ndërtuar me shpenzime të mëdha pas aneksimit rus.
Del Ponte insiston: Urdhër arrest për kriminelin e luftës, Vladimir Putin
Valdrin Nuredini
Ish-prokurorja e krimeve të luftës, Carla Del Ponte, ka kërkuar që gjykata ndërkombëtare penale të lëshojë një urdhër arresti për presidentin rus, Vladimir Putin, raporton AFP.
"Putini është një kriminel lufte," tha Del Ponte, 75 vjeç, e cila hetoi krimet e luftës në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, në një intervistë me Le Temps.
Del Ponte, e cila gjithashtu shërbeu për vite në komisionin e OKB-së për hetimin e abuzimeve të të drejtave në luftën e Sirisë, theksoi se lëshimi i një urdhër-arresti sinjalizoi se "puna hetimore është kryer".
“Është i vetmi instrument që ekziston që bën të mundur arrestimin e autorit të një krimi lufte dhe sjelljen e tyre para GJNP-së,” tha ajo për Le Temps.
Del Ponte pranoi se një urdhër arresti nuk do të thoshte domosdoshmërisht se Putini do të mbahej në paraburgim.
“Nëse ai qëndron në Rusi, kjo nuk do të ndodhte kurrë. Por do të ishte e pamundur që ai të largohej nga vendi i tij dhe do të ishte një sinjal i fortë se ai ka shumë shtete kundër tij”.
Zyrtarët lokalë: Forcat ruse arrestuan disa protestues në Enerhodar
Autoritetet lokale në qytetin e okupuar ukrainas të Enerhodarit thanë se forcat ruse, në mënyrë të dhunshme kanë ndërprerë një tubim pro-ukrainas të shtunën, duke arrestuar disa pjesëmarrës.
Banorët e këtij qyteti, që gjendet në jug të Ukrainës, kishin dalë në rrugë duke kënduar himnin e Ukrainës, kur ushtarët rusë erdhën dhe arrestuan disa persona, thanë zyrtarët e administratës lokale.
“Pushtuesit po i shpërndajnë protestuesit duke shpërthyer eksplozivë”, thanë zyrtarët ukrainas përmes një postimi në Telegram, ku u postua edhe një video ku shihej se forcat ruse kishin përdorur shok bomba.
Po ashtu zyrtarët ukrainas thanë se katër persona janë plagosur si pasojë e granatimeve në një pjesë të këtij qyteti, por këto informacione nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Fotoreporteri i njohur ukrainas gjindet i vdekur në periferi të Kievit
Valdrin Nuredini
Fotografi ukrainas i luftës Maksym Levin është gjetur i vdekur pranë një fshati në veri të Kievit nga policia, ka thënë punëdhënësi i tij LB.ua, raporton BBC, transmeton Bota sot.
Sipas raporteve nga kolegët e tij, 40-vjeçari Levin nuk ishte dëgjuar që nga 13 marsi kur ai po dokumentonte konfliktin në rrethin Vishgorod në veri të Kievit, ku më vonë shpërthyen luftime intensive.
Ndihmësi i presidentit ukrainas Andriy Yermak konfirmoi në një postim në Telegram se "trupi i Levinit u gjet pranë fshatit Guta Mezhygirska më 1 prill".
Levin kishte punuar për faqen ukrainase të lajmeve LB.ua për më shumë se dhjetë vjet, dhe fotografitë dhe videot e tij që dokumentojnë luftën janë parë në mbarë botën. Përveç punës së tij për LB.ua, ai kontribuoi me fotografi në agjencitë dhe transmetuesit ndërkombëtarë të lajmeve, duke përfshirë BBC.
Të paktën tetë gazetarë dihet se janë vrarë në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin e saj të vendit më shumë se një muaj më parë
Provokimet e Rusisë, reagon Moldavia
Më herët, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës hodhi dyshime se trupat ruse po grumbullohen në republikën e vetëshpallur të Transistrisë dhe po përgatiten të kryejnë "provokime" përgjatë kufirit.
Por si Moldavia ashtu edhe autoritetet separatiste në Transistria e kanë mohuar këtë pretendim.
Ministria e Jashtme e Moldavisë tha se nuk kishte "asnjë informacion për të konfirmuar" mobilizimin e trupave, por ajo po "monitoron nga afër" situatën, shkruan Sky news, përcjell "Bota sot".
Ukraina ka frikë se trupat ruse në Transnistria - të cilat besohet se numërojnë rreth 1500 - mund të hapin një front tjetër në luftë.
Ministria e Jashtme e Transnistrisë e mohoi këtë, duke thënë se "informacioni i shpërndarë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës është absolutisht i pavërtetë".
"Të gjitha njësitë ushtarake në territorin e [Transnistrit] janë në vendet e vendosjes së përhershme dhe i kryejnë aktivitetet e tyre në një mënyrë standarde operimi," tha ai./AM
Raportohet se është rrëmbyer një zyrtar ukrainas në Sumi
Trupat ruse kanë rrëmbyer zëvendëskryetarin e qyteti në rajonin Sumi, që gjendet në veri të Ukrainës, tha për BBC-në kreu i këtij rajoni, Dmytro Zhyvytskyi.
Zyrtari i quajtur Oleksiy Shibayev, që mbante postin e nënkryetarit të qarkut Nova Sloboda është rrëmbyer, tha Zhyvytskyi. Sipas tij, ai është marrë nga trupat ruse në një pikëkalim të premten rreth 80 kilometra në veriperëndim të Sumit.
Kjo zonë gjendet në kufi me Rusinë. Rajoni i Sumit është ende nën kontrollin e Ukrainës, por është rrethuar nga trupat ruse.
Një numër i zyrtarëve lokalë ukrainas është raportuar se janë rrëmbyer nga forcat okupuese ruse.