Çfarë do të ndodhë me furnizimet e gazit në Evropë?

Evropë

Çfarë do të ndodhë me furnizimet e gazit në Evropë?

Më: 4 prill 2022 Në ora: 20:26
Një instrumet monitorues në një tubacion gazi që shpërndan gazin rus në mbarë Bashkimin Evropian. Fotografi nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, po kërkon që për gazin natyror të paguhet me rubla. Gjermania ka nisur që të flasë për racionimin e gazit në rast të ndërprerjes së furnizimeve me gaz. Çmimet për karburante, që përdoren për ngrohje të shtëpive, për prodhimin e energjisë elektrike dhe për të furnizuar industritë, janë rritur tej mase.

Ka shumë diskutime lidhur me furnizimet me gaz natyror në Evropë, teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.

Më poshtë mund të mësoni pikat kyçe rreth kësaj teme:

Çfarë po propozon Putini?

Putini ka thënë se importuesit e gazit rus tani duhet të paguajnë me rubla. Liderët evropianë kanë thënë se nuk e pranojnë këtë kërkesë, pasi kontratat për furnizim me gaz rus thonë se për këtë produkt duhet të paguhet me euro ose dollar dhe se njëra palë nuk mundet që në mënyrë arbitrare të ndryshojë formën e pagesës.

Ndryshimi i monedhës, përmes së cilës kryhen pagesat, normalisht bëhet pas negociatave të gjata, thanë analistët, dhe klientët kërkojnë diçka në këmbim për ekspozimin që vjen si pasojë e pagesës së rublës, monedhës kombëtare ruse, vlera e së cilës nuk është e qëndrueshme.

Çështjet e hapura lidhur me ndryshimin e monedhës, me të cilën bëhen pagesat, mund të ndikojnë në tregjet energjetike, duke rritur paqartësitë nëse furnizimet me gaz natyror në Evropë mund të ndërpriten dhe të shkaktojnë një goditje të rëndë për ekonominë. Por, Rusia po ashtu varet nga nafta dhe shitjet financojnë Qeverinë ruse, në kohën kur sanksionet kanë goditur sistemin e saj financiar.

Oferta e Kremlinit mund të shihet si një zbrazëtirë ligjore. Importuesit, thjesht, mund të hapin një llogari në dollar apo euro në një bankë të caktuar dhe një tjetër llogari bankare në rubla. Importuesi do të paguante për furnizimet me gaz me euro ose dollar dhe direkt banka do të këmbente paratë në rubla.

Megjithatë, të premten më 1 prill, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ndryshimi nuk do të ndodhë menjëherë:

“Pagesat mbi furnizimet që janë në progres tani nuk duhet të bëhen sot, por dikur në fund të prillit, ose ndoshta në fillim të majit”.

Liderët evropianë e kanë refuzuar kërkesën e Rusisë dhe e kanë cilësuar si shantazh. Ata kanë thënë se do të vazhdojnë të paguajnë për gaz me euro dhe dollar.

Zyrtarët gjermanë thanë se nuk do të flasin për ndikimin e dekretit të Putinit, por vetëm janë shprehur se janë duke e analizuar atë. Zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë, Beate Baron, theksoi se Gazprombankës së Rusisë i është kërkuar dhjetë ditë që ta shpjegojë procedurën, “dhe natyrisht, ne më pas do ta analizojmë atë me kujdes”.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian për energjinë tha në Twitter se Bashkimi Evropian është duke u koordinuar për të “krijuar një qasje të përbashkët”.

Çfarë po kërkon të arrijë me këtë Putini?

Kremlini ka thënë se ndryshimi i pagesës është i nevojshëm, sepse sanksionet perëndimore kanë ngrirë rezervat e monedhës së huaj. Për shkak se masa shënjestron importuesit e shteteve “jomiqësore”, mund të shihet si hakmarrje ndaj sanksioneve të Perëndimit që kanë larguar bankat ruse nga transaksionet financiare ndërkombëtare dhe kanë bërë disa kompani perëndimore që të largojnë bizneset e tyre nga Rusia.

Avantazhet ekonomike për Rusinë nuk janë të qarta. Në teori, pagesat me rubla mund ta rrisnin kërkesën për monedhën kombëtare dhe ta ndihmonin Kremlinin të mbështeste kursin e tij të këmbimit, që ka nisur të rritet që prejse ra në nivele të ulëta pas nisjes së pushtimit të Ukrainës. Por, eksportuesi i gazit, Gazprom, veçse ka shitur 80 për qind të fitimeve të tij të huaja për rubla, prandaj një shtytje për monedhën kombëtare ruse do të ishte minimale.

Kremlini ka treguar se dëshiron, gjithashtu, të zgjasë pagesat me rubla për mallra të tjera, siç janë metalet.

Një nga motivet mund të jetë politike, tha Stefan Meister, kreu i programit për rend botëror dhe demokraci në Këshillin gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

“Rusia nuk është e interesuar që të bëjë këtë kërkesë vetëm për gaz, por dëshiron një lloj fitoreje politike”, tha Meister. “Dëshiron të tregojë se Putini dikton kushtet nën të cilat eksportohet gazi”.

Kjo lëvizje pjesërisht ka në shënjestër audiencën e brendshme në Rusi, tha Meister, pasi Putini po tenton që t’i thotë popullit të tij: “Shikoni, këto janë shtetet armike dhe tani ato duhet të paguajnë nën një skemë tjetër”.

“Prandaj, mendoj se kjo po ashtu mund të jetë për të marrë mbështetje brenda vendit, duke definuar se kush janë armiqtë”, tha Meister.

Një tjetër motiv mund të jetë për të mbrojtur bankën, Gazprombank, që të mos goditet nga sanksionet, sepse kjo bankë do të ishte kanali për pagesat dhe që do të mundësonte që furnizimet me gaz të vazhdonin, tha Meister. Kjo është banka e tretë më e madhe në Rusi, dhe sikur Sberbank – banka më e madhe ruse – nuk është larguar nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, SWIFT.

Çfarë niveli të furnizimeve me gaz ka Evropa?

Sanksionet e koordinuara të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nuk aplikohen për pagesat për naftë dhe gaz. Ky ishte koncesioni i Shtëpisë së Bardhë për aleatët evropianë, të cilët janë shumë më të varur nga energjia ruse, pasi Moska siguron 40 për qind të gazit dhe 25 për qind të furnizimeve me naftë të Evropës.

Furnizimet me gaz kanë vazhduar përmes tubacioneve që sjellin gazin nga Rusia në Evropë, është thënë në ueb-faqet e operatorëve të këtyre gazsjellësve.

Shumë nuk janë të lumtur që evropianët ende po blejnë energji nga Rusia, e cila mesatarisht përfitoi 43 për qind të fitimeve vjetore qeveritare nga shitja e gazit dhe naftës midis viteve 2011 dhe 2020, është thënë në të dhënat e Administratës amerikane për Informacione të Energjisë.

Këto para kanë ndihmuar në blerjen e tankeve dhe raketave që po përdoren në pushtimin e Ukrainës. Por, kjo, po ashtu, nënkupton se Rusia ka arsye të forta që të mos ndërpresë furnizimet me gaz natyror.

A do t’i mbijetonte Evropa një ndërprerjeje të furnizimeve me gaz?

Ekonomia e Evropës do të kishte vështirësi pa gazin rus, edhe pse ndikimi mund të varej nga ajo se sa shtetet e përdorin këtë gaz.

Gjermania – ekonomia më e madhe në kontinentin evropian – “është shumë e varur nga furnizimet me energjinë ruse”, tha Monika Schnitzer, profesoreshë e Ekonomisë në Universitetin e Mynihut, njëherësh anëtare e këshillit të ekspertëve të ekonomisë të Qeverisë gjermane.

“Një pezullim i këtyre furnizimeve sjell rrezikun që ekonomia gjermane të rrëshqasë në një recesion me norma inflacioni dukshëm më të larta”, tha ajo.

Inflacioni veçse ka arritur nivel rekord, duke shtrenjtuar të gjitha çmimet, si ato të produkteve ushqimore e deri te lënda e parë. Inflacioni është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, teksa Evropa përballej me krizë energjetike edhe para se të niste lufta në Ukrainë.

Kriza ka bërë që shumë qeveri dhe kompani të kërkojnë furnizime nga burime të tjera, por edhe nëse sigurohet energji nga burime të tjera, nuk do të ishte e mjaftueshme që të mbuloheshin nevojat nëse Rusia do t'i ndërpriste furnizimet me gaz.

Organizata Bruegel ka vlerësuar se Evropa do të kishte mungesë prej 10 deri në 15 për qind të kërkesës normale për të kaluar sezonin e dimrit të ardhshëm, duke nënkuptuar se duhet të vendoseshin masa të jashtëzakonshme për të ulur përdorimin e gazit.

Liderët evropianë kanë thënë se nuk mund t'i përballojnë pasojat e një bojkoti të menjëhershëm. Në vend të kësaj, ata planifikojnë të ulin përdorimin e gazit rus sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata po porosisin më shumë gaz të lëngshëm natyror, që transportohet përmes anijeve dhe po mëtojnë që të furnizohen me gaz nga gazsjellësit nga Norvegjia dhe Azerbajxhani. Po ashtu, shtetet evropiane kanë përshpejtuar punën në ngritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë përmes erës dhe diellit dhe po planifikojnë të vendosin masa më të rrepta.

Qëllimi është që të shkurtohet për dy të tretat furnizimi me gaz rus deri në fund të vitit, dhe të shkëputen plotësisht nga gazi rus deri më 2027.

Situata është aq serioze saqë Gjermania ka shpallur një paralajmërim për emergjencë të energjisë. Ky është paralajmërimi i parë i planit emergjent, i cili ka tri faza.

Në një emergjencë të plotë, rregullatorët qeveritarë do të duhej të vendosnin se cilat kompani do të duhet të ndalonin së përdoruri gaz, në mënyrë që shtëpitë dhe spitalet të mund të furnizohen. Prodhuesit e kimikateve, qelqit, metaleve dhe qeramikës përdorin shumë gaz.

Racionalizimi i gazit do të godiste ekonominë evropiane, e cila veçse po përballet me pasojat e luftës dhe çmimet e larta të energjisë kanë rritur inflacionin në nivel rekord prej 7.5 për qind./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat