Armenia, Azerbajxhani bien dakord për bisedime paqeje

Evropë

Armenia, Azerbajxhani bien dakord për bisedime paqeje

Më: 7 prill 2022 Në ora: 06:26
Foto ilustrim

Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord të mërkurën për bisedime paqeje lidhur me tensionet mbi territorin e Nagorno-Karabakut, i cili kufizohet me të dy vendet, tha zyra e kryeministrit armen, Nikol Pashinyan.

Zyra e tij lëshoi një deklaratë pasi kryeministri zhvilloi bisedime në Bruksel me presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev. Të dy udhëheqësit ranë dakord gjithashtu se deri në fund të prillit do të krijojnë një komision dypalësh për përcaktimin e kufirit të përbashkët, thuhet në deklaratë.

“Kryeministri i Armenisë dhe Presidenti i Azerbajxhanit udhëzuan ministrat e tyre të jashtëm që të fillojnë përgatitjet për bisedimet e paqes midis dy vendeve”, thuhet në deklaratë. 

Në takimin e Brukselit mori pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. Si Rusia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kishin shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit.

Në vitin 2020, trupat azere i dëbuan forcat armene etnike nga zona të territorit që ata kishin kontrolluar që nga vitet 1990 brenda dhe rreth Nagorno-Karabakut përpara se Rusia të ndërmjetësonte një armëpushim.

Armenia tha muajin e kaluar se donte që Rusia të ndërmerrte veprime për ta detyruar Azerbajxhanin të tërhiqte trupat nga një zonë e Nagorno-Karabakut të kontrolluar nga paqeruajtësit rusë. Azerbajxhani tha se zona ishte territori i tij sovran.

Zyra e kryeministrit armen tha gjithashtu se të dyja palët ranë dakord të krijojnë "një komision dypalësh për përcaktimin e kufirit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, i cili gjithashtu do të jetë i autorizuar të merret me çështjet e garantimit të sigurisë dhe stabilitetit përgjatë kufirit". Deklarata nuk dha detaje të mëtejshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat