Pse nuk funksionon ende fabrika e vaksinave Sinofarm në Serbi?

Evropë

Pse nuk funksionon ende fabrika e vaksinave Sinofarm në Serbi?

Më: 15 maj 2022 Në ora: 15:41
Fabrika e vaksinave kineze, Sinofarm, në Serbi. Maj, 2022.

Flamuj të Serbisë, Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe valojnë përpara fabrikës së sapondërtuar të vaksinave Sinofarm, në pjesën industriale të Beogradit.

Të tria vendet nisën projektin e përbashkët të ndërtimit në mesin e vitit 2021, por fabrika nuk funksionon ende.

Është thënë se shishet e para me vaksinën kineze kundër sëmundjes COVID-19 do të jenë gati deri në fund të marsit, 2022. Megjithatë, kanë kaluar tetë muaj nga vendosja e gurthemelit, më 9 shtator, 2021, dhe gati një muaj e gjysmë nga afati i premtuar dhe vaksina s’ka ende.

Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje as nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, as nga Fondi Republikan i Sigurimeve Shëndetësore se kur pritet të fillojë funksionimi i fabrikës.

Këtë informacion nuk e ka dhënë as nënkryetari i Beogradit, Goran Vesiq, kur në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, më 8 maj, thënë se “fabrika po përfundon”.

Image
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke hapur punimet për ndërtimin e fabrikës kineze në Beograd. Shtator, 2021.

Kostoja e investimit dhe kapaciteti prodhues

Dinamikën e punimeve dhe të prodhimit e ka paralajmëruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vendosjes së gurthemelit. Ai ka thënë se fabrika, në fazën e parë, do të ketë sektorin për mbushjen e vaksinave dhe se vaksinat e para të tilla do të dalin në treg në muajin prill. Në fazën e dytë, ka shtuar ai, do të ndërtohet sektori, ku do të prodhohen “substanca aktive”.

Vuçiq ka thënë se kapaciteti i fabrikës do të jetë 40 milionë doza në vit, për të furnizuar “tregjet tona [serbe] dhe të tjerat”.

Vlera e projektit është llogaritur në rreth 30 milionë euro.

Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga institucionet kompetente nëse ndonjë vend i caktuar është interesuar për blerjen e vaksinave Sinofarm dhe cilat janë tregjet potenciale për të.

Drejtoresha e Fondit Republikan të Sigurimeve Shëndetësore në Serbi, Sanja Radojeviq Shkodriq, ka thënë në fund të vitit të kaluar për agjencinë Tanjug se në fabrikën e re “janë paraparë kapacitete edhe për vaksina të tjera ose për zgjerimin e kapaciteteve të vaksinave ekzistuese”.

Megjithatë, as Fondi, as Radojeviq Shkodriq nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë se cilat vaksina të tjera janë planifikuar të prodhohen aty.

Serbia, më 23 shkurt të këtij viti, ka marrë licencën për prodhimin e vaksinave mRNA, mbi teknologjinë e të cilave bazohen vaksinat Pfizer dhe Moderne kundër COVID-19-ës.

Image
Punimet në fabrikën kineze, Sinofarm, në Beograd.

Fabrika - objekt ushtarak

Prokurimin publik për ndërtimin e fabrikës e ka shpallur Institucioni Ndërtimor Ushtarak “Beograd”, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. E gjithë procedura ka përfunduar në kohë rekorde: në më pak se një javë.

Në ndërtimin e fabrikës, më 7 shtator - gjegjësisht dy ditë para fillimit të ndërtimit - është angazhuar kompania Termomont, me një kontratë prej rreth 25 milionë eurosh.

Bëhet fjalë për një projekt të përbashkët të Serbisë, Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, por përveç këtij investimi, Serbia ka siguruar edhe tokën, edhe financimin e infrastrukturës përreth fabrikës.

Kjo nuk është hera e parë që kompania Termomont merr pjesë në ndërtimin e objekteve në fushën e shëndetësisë për nevojat e shtetit serb.

Nga një pasqyrë e prokurimit publik merret vesh se e njëjta kompani ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e spitaleve për COVID-19, gjatë pandemisë.

As Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se kur është planifikuar të hapet fabrika dhe përse ushtria dhe mbrojtja janë përfshirë në ndërtimin e një objekti të tillë.

Image
Një qendër e vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19 në Beograd. Shkurt, 2021.

Vaksinat dhe vaksinimi në Serbi

Serbia ka qenë ndër vendet e para që ka blerë vaksina kundër sëmundjes COVID-19 për përdorim masiv, në janar të vitit 2021. Dërgesat e para kanë qenë vaksinat kineze, Sinofarm.

Sipas të dhënave të paraqitura nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, më 12 korrik të vitit 2021, Serbia ka blerë katër milionë vaksina nga kompania kineze dhe ka siguruar 200 mijë të tjera në formë donacioni.

Pas tyre, Serbisë i kanë arritur edhe vaksina nga prodhuesit perëndimorë, si: Pfizer/BioNtech, AstraZeneca, Moderna, si dhe vaksina ruse, Sputnik V.

Në Serbi nuk ka të dhëna zyrtare se sa vaksina Sinofarm ose të tjera janë dhënë dhe nuk dihet se sa kanë mbetur në magazina.

Në një kohë, ajo ka pasur mjaftueshëm doza, saqë ka vendosur t’iu ofrojë edhe qytetarëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, si dhe qytetarëve të huaj dhe turistëve në Serbi.

Në kohën kur ka filluar ndërtimi i fabrikës së vaksinave, rreth tre milionë njerëz kanë qenë plotësisht të vaksinuar në Serbi - nga gjithsej 3.27 milionë sa janë të vaksinuar deri më sot, sipas të dhënave të fundit zyrtare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka miratuar vaksinën kineze, Sinofarm, në maj të vitit 2021, për përdorim urgjent. Në Bashkimin Evropian, Agjencia Evropiane e Barnave nuk e ka miratuar Sinofarmin./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat