​Petkov e Radev takohen me ndihmës sekretaren e Shtetit Donfried

Evropë

​Petkov e Radev takohen me ndihmës sekretaren e Shtetit Donfried

Më: 19 maj 2022 Në ora: 17:21
Pamje nga takimi

Kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe presidenti Rumen Radev biseduan të mërkurën në Sofje me ndihmës sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, e cila po qëndron për vizitë dyditore në Bullgari.

Sipas Shërbimit të Informacionit të Qeverisë, Petkov dhe Donfried diskutuan bashkëpunimin dypalësh të sigurisë, përgjigjen e unifikuar të NATO-s ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, projektet e përbashkëta energjetike dhe masat për të përballuar korrupsionin.

Në takimin mes presidentit Radev dhe Donfrid janë fokusuar temat nga partneriteti strategjik dypalësh, çështjet e stabilitetit dhe sigurisë në kuadër të luftës në Ukrainë, si dhe në politikën e zgjerimit të BE-së, njoftoi sekretariati i shtypit i kreut të shtetit.

Radev tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshon rrënjësisht mjedisin e sigurisë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, dhe kjo kërkon rimendim dhe veprime reale brenda BE-së dhe NATO-s për të ndryshuar qasjet për garantimin e paqes dhe sigurisë.

Presidenti bullgar bëri thirrje për mbështetje në kohë nga aleatët e Bullgarisë për të parandaluar humbjen e aftësive mbrojtëse të Forcave Ajrore derisa ky vend të marrë tetë avionët luftarakë F-16 të blerë nga SHBA.

“Garantimi i sovranitetit tonë ajror është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për partnerët tanë”, theksoi Radev.

Sipas tij, Bullgaria është vendi më i interesuar për nisjen më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por pret mekanizma të qartë dhe të fortë ligjërisht detyrues dhe hapa realë për çrrënjosjen e gjuhës së urrejtjes.

Me rëndësi kyçe për përshpejtimin e rrugës evropiane të vendit është zbatimi i kritereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE, arritja e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të pakthyeshme për zhvillimin e lidhjeve dypalëshe dhe përfshirja e bullgarëve të Maqedonisë në kushtetutë krahas pjesëve të tjera të popujve si mjete për garantimin e të drejtave të tyre.

“Ekziston konsensus i gjerë për këtë temë në shoqërinë bullgare, të konfirmuar nga Asambleja Kombëtare dhe çdo prapambetje kërcënon stabilitetin në vetë shtetin anëtar të BE-së”, theksoi Radev.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha më 17 maj se Donfried është në Sofje "për një seri takimesh të nivelit të lartë për të riafirmuar partneritetin e fortë dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Bullgarisë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat