UNESCO/ Fillojnë bisedimet Greqi-Britani për rikthimin e skulpturave te Partenonit

Evropë

UNESCO/ Fillojnë bisedimet Greqi-Britani për rikthimin e skulpturave te Partenonit

Më: 22 maj 2022 Në ora: 11:46
Foto ilustrim

Greqia ka pritur me kënaqësi lajmin nga sekretaria e UNESCO-s se ka një qasje pozitive sa i përket kërkesës së saj shekullore për rikthimin e skulpturave të mermerit ,dikur pjesë e Partenonit grek, të ekspozuara  në Muzeun Britanik.

Bëhet fjalë për relievet e moçme dhe statujat 2500 vjeçare, që prezantojnë skena nga mitologjia greke, të njohura si mermerët e Partenonit apo edhe “Mermerët e Elginit”, duke e marrë emrin nga Lord Thomas  Bruce Elgin, ish-ambasadori britanik në Perandorinë Osmane në fillim të shekullit të 19, që përfshinte dhe Greqinë.

Në 1801, ai mori lejen ligjore që këto pjesë mermerësh ,statuja, copa të gdhendura të tempullit të Partenonit, t’i çonte në Londër dhe 15 vjet më pas ia shiti qeverisë Britanike, së bashku me qindra objekte të tjera antike nga Athina.

“Kthimi i skulpturave nuk është thjesht një riatdhesim i thjeshtë, por ribashkim i ikonës mbarëbotërore të monumentit të Partenonit, i cili kërkon ato seksione dhe pjesë që mungojnë”, tha drejtori i Muzeut të Akropolit, Nikos Stampolidis.

Tashmë si është bërë me dije edhe nga gazeta franceze Le Figaro që ka zbuluar se çfarë është vendosur në takimin e Këshillit të Unesco-s në Paris, ministrat  e Kulturës të Greqisë dhe Britanisë së Madhe do të qëndrojnë në tryezën e dialogut  për të negociuar për rikthimin ose siç e quajnë në Greqi, ribashkimin e pjesëve të Partenonit të lashtë.

Por megjithëse pritet vetëm data e takimit, pala britanike vazhdon të këmbëngulë se skulpturat në fjalë u bënë pjesë e Muzeut Britanik në mënyrë të ligjshme.

Ndërsa në Greqi ,gjithnjë e më shpesh ripërsërisin thënien e Lord Bajronit në atë kohë, si dhe të ish-ministres së Kulturës dhe artistes së shquar greke Melina Mërkuri disa dekada më parë dhënë BBC, se lordi Elgin kreu një vjedhje.

Momenti favorizon kërkesën e palës greke pasi edhe gati 59% e  britanikëve të pyetur janë shprehur pro kthimit të skulpturave Athinës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat