Shtetet e Bashkuara sanksionojnë dy politikanë të Bosnjës

Evropë

Shtetet e Bashkuara sanksionojnë dy politikanë të Bosnjës

Më: 6 qershor 2022 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

Departamenti amerikan i Thesarit, u vendosi sanksione dy politikaneve të Bosnjës, njeri kroat e tjetri serb, për kërcënim të qëndrueshmërisë së rajonit dhe dëmtim të Marrëveshjes së Paqes dhe proceseve apo institucioneve demokratike.

Departamenti tha se sanksionet u vendosën kundër presidentit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Marinko Çavara dhe ministrit të Shëndetësisë në Republikën Serbe, Alen Sheraniç.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.

Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet se veprimi i sotëm përforcon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të promovuar llogaridhënien në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë ata zyrtarë që dëmtojnë proceset apo institucionet demokratike në këtë rajon dhe në këtë mënyrë kërcënojnë paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin e vendeve të tyre.

Duke nënvizuar se veprimi i sotëm tregon përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për qëndrueshmërinë dhe përparimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, nënsekretari i Departamentit të Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson, tha se Marinko Çavara dhe Alen Sheraniç synonin të ndiqnin agjendat etno-nacionaliste dhe politike në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetarëve të Bosnjës e Hercegovinës”.

Marinko Çavara, është përgjegjës për emërimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të federatës, por që nga vitit 2019, ka refuzuar një gjë të tillë, duke bllokuar funksionimin e “panelit për interesa jetike të gjykatës”, një institucion që trajton çështje të ngritura nga deputetët e Parlamentit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Alen Sheraniç, ndërkaq thuhet se ka udhëhequr përpjekjet për miratimin e Ligjit për shëndetësi dhe prodhime shëndetësore që krijon një agjenci vetëm brenda Republikës Serbe dhe se krijimi i një agjencie të tillë “pengon ose kërcënon zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Daytonit”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në një deklaratë se "këto veprimtari destabilizuese dëmtojnë të ardhmen që Bosnja ka zgjedhur që të jetë pjesë e komunitetit euro-atlantik...”, tha ai në një komunikatë duke vlerësuar se Bosnja po përballet me krizën e saj më serioze që nga viti 1995.

“Koalicioni qeverisës në entitetin Republika Serbe po lëviz për të krijuar struktura paralele që rrënojnë autoritetin e institucioneve të nivelit shtetëror dhe udhëheqësit e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) të Bosnjës dhe Hercegovinës po gjymtojnë proceset demokratike të vendit”, tha ai.

Më herët gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara sanksionuan edhe disa politikanë të tjerë të Bosnjës, përfshirë anëtarin e presidencës trepalëshe të vendit, Milorad Dodik “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat