​Scholz kërkon një ndryshim në rregullat e votimit në BE

Evropë

​Scholz kërkon një ndryshim në rregullat e votimit në BE

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 23:17
Olaf Scholz

Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi sonte se do të bëjë të gjitha përpjekjet për t'i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin kandidat, se BE-ja duhet të jetë e hapur ndaj vendeve të tjera, por edhe të avokojë për reforma kur bëhet fjalë për rregullat e votimit.

Scholz ka kërkuar që BE-ja të kalojë në vendimet e politikës së jashtme me shumicë të cilësuar (që nënkupton heqjen e të drejtës së vetos së vendeve individuale), por nuk ka gjasa që të marrë mbështetjen e Francës dhe disa vendeve të tjera, transmeton portali Politico.

Duke folur para anëtarëve të Bundestagut përpara samitit të Këshillit Evropian të planifikuar për të enjten dhe të premten në Bruksel, Scholz tha se ai do të mbështeste me vendosmëri që Ukrainës dhe Moldavisë t'i jepet statusi i kandidatëve për anëtarësim në BE dhe vuri në dukje se një angazhim i tillë mbart disa detyrimet.

"Do të bëj çdo përpjekje në Këshillin Evropian për të siguruar që e gjithë BE-ja të pranojë njëzëri kandidaturat e Ukrainës dhe Moldavisë për anëtarësim", tha kancelari gjerman, duke shtuar se "BE duhet gjithashtu të jetë në gjendje të pranojë anëtarë të rinj".

Scholz përsëriti përkushtimin e tij për reformat në BE, mbi të gjitha për ndryshimin e rregullave të votimit në mënyrë që të parandalohen vendet individuale nga bllokimi i vendimeve të shumicës, veçanërisht duke theksuar politikën e jashtme si një fushë në të cilën një ndryshim i tillë është i nevojshëm.

Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, kanë kundërshtuar tashmë heqjen e të drejtës së vetos në fusha kyçe si politika e jashtme.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat