Maratona juridike për Julian Asange drejt fundit

Evropë

Maratona juridike për Julian Asange drejt fundit

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 09:06
Julian Asange

Ec e jaket kundër ekstradimit të themeluesit të Wikileaks Julian Assange po hyjnë në raundin e fundit. Në shtator High Court në Londër vendos përfundimisht. Të afërmit e Assange janë të shqetësuar për shëndetin e tij.

Që nga viti 2019 Julian Assange mbahet në arrest në Londër në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh. Ndërtesa viktoriane është ndër burgjet më të ashpra të Britanisë së Madhe.

Pesëdhjetë muajt, që duhej të vuante dënimin, themeluesi i Wikileaks për shkelje ndaj kushteve të dënimeve të mëparshme, kanë kaluar prej kohësh. Qysh atëherë Assange ndodhet në një lloj arresti për ekstradim në kushte ekstremisht të rrepta burgu.

Ndërkohë ka vetëm një shans për lejimin e një riapelimi kundër vendimeve gjyqësore për ekstradim të High Court në Londër, që në qershor u nënshkruan edhe nga ministri i Brendshëm Priti Patel. Ky vendim pritet muajin e radhshëm, e pas këtij vendimi ka një afat katër javor për ekstradimin me detyrim për në SHBA.

Image
Përkrahës Julian Assange dalin me parulla kundër ekstradimit në SHBA

Shqetësime për shëndetin e Assange

Gruaja e Assange, Stella, druan më të keqen, nëse gjyqtarët nuk i hapin rrugë për një riapelim bashkëshortit të saj. "Jeta e Julianit varet nëse ai do të fitojë ose jo ndaj ekstradimit. Juliani është klinikisht depresiv. Nëse ai do të ekstradohet dhe do të futet në burg izolimi, sikurse parashikohet në SHBA, atëherë ai do të kryejë vetëvrasje", tha Stella Assange në intervistë për DW.

Edhe pjesa australiane e familjes, babai John Shipton dhe vëllai Gabriel, janë jashtëzakonisht të shqetësuar. "Shëndeti i tij është në rënie", deklaroi vëllai javën e kaluar në televizionin Sky Australia. "Ai është në një situatë të rrezikshme dhe gjendja po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Të copëtohet zemra ta shohësh këtë gjeni të butë në një burg të sigurisë së lartë krahas kriminelëve të dhunshëm".

Familja i ka apeluar kryeministrit të ri australian, Anthony Albanese, që të angazhohet për shpëtimin e bashkëatdhetarit të tij Julian Assange. Gjatë fushatës elektorale ky pati thënë, se „mjaft është mjaft", duke bërë të qartë me këtë, se duhet t'i jepet fund përndjekjes së themeluesit të Wikileaks.

Megjithatë qëkurse Albanese ka marrë postin nuk ka lëvizur asgjë, ankohen babai dhe vëllai i Assange. Ata deri tani nuk ia kanë dalë që të marrin një orar pritjeje tek kryeministri. Në deklaratat e fundit publike Albanese iu referua kësaj çështjeje duke thënë, se të tilla bisedime duhen zhvilluar urtë në mënyrë diplomatike dhe me dyer të mbyllura.

Ekstradim i diskutueshëm

Sipas avokates dhe bashkëshortes së Assange, Stella, tani High Court duhet të mundësojë mjetet ligjore ndaj vendimit të mëparshëm nga e njëjta gjykatë. Edhe pse në këtë vendim bëhej fjalë për interpretimin formal të marrëveshjes së esktradimit mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-së.

Në instancën e parë gjyqtarja e qarkut ndonëse mori në konsideratë edhe gjendjen shëndetësore të të burgosurit dhe vendosi kundër ekstradimit, gjyqtarët e instancës më të lartë nuk i konsideruan si relevante këto argumenta.

Edhe aspekte të tjera mbeten deri tani të patrajtuara, pavarësisht angazhimit të avokatëve mbrojtës të Assange. P.sh. çështja që Assange nuk duhet ndaluar nga e drejta për shprehjen e lirë të mendimit dhe mbrojtjen e punës gazetareske. Ose nëse SHBA ka arësye politike për kërkesën për ekstradim. "Kur të kemi ezauruar rrugën ligjore të vendit, ne mund t'i referohemi Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut", thotë Stella Assange. Por ndërkohë është e paqartë, nëse gjyqtarët britanikë do të presin derisa të shqiptohet një vendim i tillë.

Kjo për faktin se qeveria britanike ndodhet në një kurs kolizioni me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në bazë të një projektligji të paraqitur në fund të qershorit parashikohet tkurrja e mbrojtjes për refugjatët. Në vend të një procesi azilimi në Britaninë e Madhe, migrantët do të dërgohen në Ruandë për ta parashtruar atje kërkesën për azilim. Nëse në shtator në Downing Street do të hyjë përfaqësuesja e vijës së fortë të partisë Tory, Liz Truss, Assange mund të ketë pak shpresa për ndërhyrje politike.

Me fëmijë vizitë në burg 

Një herë në javë Stella Assange bashkë me djemtë lejohet ta vizitojë për një orë bashkëshortin në Belmarsh. Djemtë që tani janë tre dhe pesë vjeç e njohin babain e tyre vetëm si të burgosur.

Vizitat janë për familjen çdo herë një sfidë plot pengesa: "Ata u kontrollojnë atyre gojën, veshët nga pas, u kontrollojnë flokët dhe këmbët. Ata nuhaten lart e poshtë në çdo pjesë të trupit prej qenve të policisë, dhe ata e dinë që ky është një vend, prej nga babai i tyre nuk mund të largohet", tregon Stella Assange për kontrollet që u bëhen rregullisht fëmijëve.

Por tek e fundit në këtë luftë nuk është fjala vetëm për jetën e bashkëshortit të saj, por edhe për lirinë e shtypit në Europë: "A i lejohet një fuqie të huaj të ndërhyjë në Europë dhe të kufizojë atë që shtypi mund të publikojë? Mund të imagjinoni që Kina të bënte të njëjtën gjë dhe të përndiqte një gazetar në Gjermani, sepse ai ka zbuluar krime kineze".

Por një marrëveshje ekstradimi si ajo mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-së ekziston vetëm midis vendeve mike, ku në fakt ekziston besimi në drejtësinë demokratike të partnerit. Dhe ku arësyet gjeopolitike duken më të forta se sa fati i një njeriu./DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat