Putini po përdor Serbinë dhe Bosnjën për të nxitur përçarje në Evropë

Evropë

Putini po përdor Serbinë dhe Bosnjën për të nxitur përçarje në Evropë

James Stavridis Nga James Stavridis Më 6 tetor 2022 Në ora: 12:05
Vladimir Putin

Edhe pse presidenti rus Vladimir Putin është i fokusuar tek lufta e tij brutale por e dështuar në Ukrainë, ai vazhdon që të shtrijë akoma më tej ambiciet e tij. Në fakt Rusia po përpiqet që të minojë demokracitë në të gjithë Evropën, dhe e bën këtë duke shpërndarë fonde dhe mbështetje për grupet e ekstremit të djathtë dhe operacionet propagandistike. 

Por Putin ka gjetur një terren veçanërisht pjellor në rajonin e Ballkanit, duke përhapur  pikëpamjen e tij se Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut synon që të margjinalizojë botën ruse, sllave dhe ortodokse lindore. Në qendër të këtyre përpjekjeve është Serbia, shteti më i rëndësishëm ish-jugosllav, që nuk është një anëtar i NATO-s.

Kur isha komandant suprem i aleatëve të NATO-s gjatë viteve 2009-2013, e kam vizituar shpesh Ballkanin. Aleanca kishte më shumë se 15.000 trupa në një mision paqeruajtës në Kosovë, një republikë e vogël që e sfidoi Serbinë dhe shpalli pavarësinë. 

Kjo çështje kishte ndezur një luftë të rëndësishme në vitin 1999, gjatë të cilës avionët e NATO-s bombarduan kryeqytetin serb, Beogradin. Megjithatë, qeveritë serbe të viteve të fundit kanë punuar për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin dhe për të arritur  anëtarësimin në Bashkimin Evropian.  

Megjithatë ka ende forca gjithnjë e më të rrezikshme, të cilat e mbështesin Vladimir Putininnë Serbi por edhe në vendet më të vogla fqinje. Rusia ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo ka qenë thuajse me siguri prapa një përpjekjeje për grusht shteti në Malin e Zi  në vitin 2016.

Po ashtu ka mbështetur elementët separatistë në Bosnje Hercegovinë. Mbi të gjitha, presidenti rus dëshiron që ta mbajë Serbinë dhe Bosnjen jashtë NATO-s dhe BE-së. Po ashtu, ai dëshiron që të nxisë mbështetjen për luftën e tij katastrofike në Ukrainë dhe në përgjithësi synon që ta shpërqendrojë Perëndimin duke prodhuar tensione, sidomos midis Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vucic ka mbajtur një qasje të ekuilibruar midis Moskës dhe Perëndimit. Qeveria e tij votoi në favor të një rezolute të Kombeve të Bashkuara që e dënonte pushtimin e Rusisë. 

Ajo e hodhi poshtë aneksimin e javës së kaluar nga Putin të territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainë, teksa ka qenë deri diku mbështetëse për lejimin e transportimit të pajisjeve ushtarake humanitare dhe jo–vdekjeprurëse në Kiev. 

Por fatkeqësisht, Vucic nënshkroi në maj një marrëveshje me Rusinë për blerjen e gazit.

Ndërkohë Putin vazhdon të kultivojë mbështetje edhe brenda politikës së ndërlikuar të Bosnjë-Hercegovinës. Muajin e kaluar ai priti në një takim në Moskë Milorad Dodik, një nacionalist serb i vijës së ashpër që udhëheq entitetin etnik serb brenda Bosnjës, Republika Srpska. 

Shumëkush dyshon me të drejtë se Dodik do ta shkatërronte me kënaqësi vendin e tij për të kënaqur padronin e tij në Moskë. Në këto kushte, si mund t’i kundërshtojë Perëndimi përpjekjet e Rusisë? Rreth 3.500 forcat paqeruajtëse që mbeten në Bosnje janë domethënëse, por jo përcaktuese. 

Pasi konkurrenca e vërtetë është zhvendosur në luftën e informacionit dhe angazhimin ekonomik. Dhe në ta parën Moska është e avantazhuar. Pasi ajo është shumë e angazhuar në përhapjen e narrativave të rreme për luftën, duke synuar që ta portretizojë “operacionin ushtarak special” të Rusisë si një mision pan-sllav për të bashkuar ukrainasit (të cilët janë vetë sllavë) me Nënën Rusi. 

Siç edhe pritej, kjo narrativë po funksionon shumë mirë në favor të së djathtës ekstreme, por edhe në mesin e popullatës në tërësi. Një sondazh i muajit qershor, tregoi se thuajse gati 2/3 e serbëve thanë se NATO-ja është fajtore për luftën, ndërsa vetëm rreth 10 për qind e shihnin Rusinë si kryesisht ose tërësisht fajtore për konfliktin.

Por fatmirësisht, Moska ka pak për të ofruar në aspektin e stimujve ekonomikë. Eksportet serbe në Evropë janë gati 15 herë më të mëdha se ato në Rusi, dhe do të rriten në mënyrë dramatike me anëtarësimin e vendit në BE. Serbia dhe Bosnja duan që të ruajnë aftësinë e shtetasve të tyre për të udhëtuar pa viza në Bashkimin Evropian, në një kohë që rusët po izolohen gjithnjë e më shumë.

Thelbi i misionit për Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n është i thjeshtë: Mos e cilësoni Ballkanin – dhe sidomos Serbinë dhe Bosnjën – si apriori 100 për qind pjesë  të sigurt të aleancës perëndimore. 

Këto dy kombe duhet që të mbahen në rrugën graduale drejt anëtarësimit në BE, edhe nëse ndonjëherë nuk janë aleatët e përsosur kundër Rusisë. Po ashtu NATO duhet të vazhdojë të punojë ngushtë me ta në trajnime dhe stërvitje ushtarake. 

Rusia do të vazhdojë që të krijojë të çara midis Ballkanit dhe Perëndimit. Serbia dhe Bosnja duhet ta kuptojnë se ndërsa Moska mund të ofrojë furnizime me gaz, ky është një tundim taktik që nuk ka të krahasuar me vlerën strategjike të atashimit me Evropën Perëndimore. 

Shënim:James Stavridis, admiral në pension i Marinës së SHBA-së, dhe ish-komandant suprem i aleatëve të NATO-s. Aktualisht është dekan në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë në Universitetin Tafts.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat