Sllovenët mbështesin ligjin për depolitizimin e televizionit publik

Evropë

Sllovenët mbështesin ligjin për depolitizimin e televizionit publik

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Në një referendum të dielën sllovenët mbështetën një ligj për të pakësuar influencën politike dhe për të rikthyer pavarësinë editoriale të televizionit publik të këtij vendi anëtar të Bashkimit Evropian.

Mediat dhe organizatat civile kanë kritikuar atë që e quajnë mbulim të njëanshëm nga “RTV Slovenija” – transmetuesi kryesor i vendit me mbi 2 mijë punonjës. Drejtuesit aktualë janë emëruar nga qeveria e mëparshme konservatore.

Koalicioni qeverisës i qendrës së majtë, i cili fitoi zgjedhjet në prill, e miratoi ligjin për reformimin e radiotelevizionit, pak pas marrjes së pushtetit.

Në bazë të ligjit të ri, stacioni publik do të mbikqyret nga institucione dhe grupe të shoqërisë civile, duke ia ndaluar qeverisë dhe parlamentit emërimin e drejtuesve të rinj sa herë zhvillohen zgjedhje.

Partia Demokratike e Sllovenisë (SDS), e drejtuar nga ish-Kryeministri Janez Jansa, kërkoi referendumin si një përpjekje të fundit për të ndalur ligjin e ri, pasi mblodhi 40 mijë firmat e duhura për thirrjen e një referendumi popullor.

Sipas të dhënave të komisionit zgjedhor, mbi 62% e votuesve mbështetën ligjin, duke i hapur kështu rrugën hyrjes së tij në fuqi.

Gjatë dy viteve të tij në pushtet, në periudhën 2020-2022, zoti Jansa denonconte shpesh njoftimet kritike në media, duke bërë madje edhe sulme personale ndaj gazetarëve.

Partia e tij SDS zëvendësoi pjesën më të madhe të drejtuesve të RTV-së, si dhe kryeredaktorin e programeve të lajmeve, duke shkaktuar protesta për emisionet e mbyllura, për transferimet e gazetarëve dhe lëvizjet e tjera që u konsideruan ndërhyrje në lirinë e medias.

Në klasifikimin për lirinë e medias, Sllovenia ra nga vendi i 36-të në atë të 54-ërt, sipas raportit të vitit 2022 të Reporterëve Pa Kufij (RSF).

“Ka dëme që nuk mund të zhbëhen… por duhet të sigurohet autonomia editoriale” nëpërmjet këtij ligji, i tha agjencisë së lajmeve AFP Helena Milinkoviç, zëdhënëse e sindikatës më të madhe të punonjësve të televizionit.

Ajo shtoi se janë punësuar mbi dymbëdhjetë gazetarë të rinj, që më parë punonin për mediat e lidhura me partinë SDS, ndërsa mbi 40 gazetarë dhe punonjës të redaksisë së lajmeve kanë dhënë dorëheqjen ose kanë dalë në pension gjatë vitit të fundit.

Shoqata e gazetarëve të Sllovenisë i pati bërë thirrje qytetarëve të mbështesnin ligjin, duke u shprehur se është mënyra e vetme për të mbrojtur transmetuesin nga “abuzimi politik dhe shkatërrimi”.

Organizatat kryesore ndërkombëtare të mediave, si Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) dhe RSF-ja, gjithashtu dolën në mbështetje të këtij ligji.

Organizata e Mediave të Evropës Juglindore (SEEMO) gjithashtu mirëpriti rezultatin e referendumit.

“SEEMO shpreson që “RTV Slovenia” do të funksionojë në të ardhmen si një shërbim mediatik i pavarur profesional dhe si një shembull pozitiv për shumë shërbime të tjera publike në Evropë”, i tha agjencisë së lajmeve AFP sekretari i përgjithshëm i SEEMO-s, Oliver Vujoviç.

Pasi të botohen në fletoren zyrtare në janar rezultatet e referendumit, ligji përcakton një afat dymujor për zbatimin e ndryshimeve të parashikuara./ Marrë nga VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat