Angela Merkel mbron vendimet e saj për energjinë ruse

Evropë

Angela Merkel mbron vendimet e saj për energjinë ruse

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 08:12
Angela Merkel

Ish-kancelarja gjermane tha për gazetën Die Zeit se nuk pendohet për vendimet që ka marrë në lidhje me furnizimin me energji të Gjermanisë. Megjithatë, ajo pranoi se duhej të qe bërë më shumë për t'iu kundërvënë Rusisë.    

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbrojtur vendimet e saj në lidhje me furnizimin me energji të Gjermanisë gjatë mandatit të saj 16-vjeçar. Në një intervistë me të përjavshmen gjermane Die Zeit, Merkel tha se ata që vënë në dyshim vendimet e marra në periudha të ndryshme shpesh nuk marrin parasysh kontekstin rreth tyre.

Ndër vendimet e mbrojtura nga zonja Merkel janë përshpejtimi i përfundimit të programit gjerman të energjisë bërthamore, autorizimi i ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2 dhe zgjedhja e energjisë ruse përballë zgjidhjeve të tjera më të shtrenjta.

Gjermania është përpjekur të diversifikojë burimet e saj të energjisë këtë vit pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës e detyroi të gjithë Evropën të shqyrtojë alternativa ndaj gazit dhe naftës ruse.

Pse nuk e kundërshtoi Angela Merkel projektin Nord Stream 2?

Ish-kancelarja tha se nuk ishte kurrë në kompetencën e qeverisë për të miratuar këtë tubacion gazi, i cili do të lejonte transferimin e gazit rus në Evropë nëpërmjet tubacioneve nën Detin Baltik që lidhin Rusinë me Gjermaninë.

Ndërtimi i gazsjellësit u kritikua në atë kohë nga Ukraina, Polonia dhe madje edhe Shtetet e Bashkuara.

Merkel argumentoi se ishte roli i kompanive gjermane që të miratonin ndërtimin e gazsjellësit, jo qeverisë. E vetmja mënyrë që qeveria ta kundërshtonte do të kishte qenë miratimi i një ligji kundër gazsjellësit, i cili, sipas zonjës Merkel, do të kishte "përkeqësuar në mënyrë të rrezikshme klimën me Rusinë".

Image
Nord Stream 2 në Lubmin

Tubacioni i gazit Nord Stream 2 u pezullua në fillim të këtij viti në përgjigje të vendimit të Komisionit Evropian. Merkeli kujtoi gjithashtu se në atë kohë kishte një krizë energjetike për shkak të një rënieje të furnizimit nga Holanda, Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë. Eksportet e gazit nga Shtetet e Bashkuara gjithashtu nuk ishin një opsion në atë kohë.

Merkeli vuri në dukje se ndërsa vendimet e fundit për energjinë kanë kuptim, duke pasur parasysh situatën me Rusinë, ato nuk do të kishin pasur kuptim kur ishte ajo kancelare. E pyetur nëse duhet t'i kishte marrë gjithsesi këto vendime, Merkeli u përgjigj: "Jo, aq më tepër që nuk do të ishin pranuar fare".

"Autokritikë” për qëndrimin për aneksimin e Krimesë nga Putin

Megjithatë, kancelarja ndau disa mendime vetëreflektuese me gazetën Die Zeit. Ajo i tha gazetës se mënyra se si reagoi bota ndaj aneksimit të Krimesë nga presidenti rus Vladimir Putin në 2014 nuk kishte qenë e ashpër sa duhet.

Merkeli renditi reagimet ndërkombëtare ndaj aneksimit të vitit 2014, duke filluar nga dëbimi i Rusisë nga G8 deri te vendosja e trupave të NATO-s në Detin Baltik, te vendimi i anëtarëve të NATO-s për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 2% të produktit të brendshëm bruto përkatës. "Por ne duhet të kishim reaguar më me shpejtësi ndaj agresivitetit të Rusisë”, përfundoi ish-kancelarja.

E pyetur se çfarë përfundimi të mundshëm parashikon ajo për luftën e Rusisë në Ukrainë, Merkeli tha se ajo mund të përfundojë vetëm në tryezën e bisedimeve.

Image
Merkel, Putin e Poroshenko - takime në Normandi, 6 qershor 2014

Çfarë tha Merkeli për qëndrimin e saj për refugjatët?

Një tjetër temë është qëndrimi i diskutueshëm i Merkelit ndaj fluksit të refugjatëve, kryesisht atyre të ardhur nga Siria në vitin 2015. Merkeli i lejoi ata në Gjermani kur për ta ishin zyrtarisht përgjegjës shtetet e tjera anëtare të BE-së, sipas Rregullores së Dublinit, e cila thotë se azilkërkuesit duhet të regjistrohen në vendin e parë të sigurt në botë. Në vend të kësaj, Gjermania i lejoi këta njerëz të kalonin kufirin fillimisht dhe kërkesat e tyre për azil të kontrolloheshin më vonë.

Pothuajse gjysmë milioni njerëz aplikuan për azil në Gjermani në vitin 2015, dhe 750.000 të tjerë vitin pasues.

E pyetur se çfarë e shtyu për këtë vendim ndarës, Merkel theksoi se ai ishte "në përputhje me të drejtat dhe vlerat tona themelore". Ajo vuri në dukje se ishte ndikuar edhe nga reagimi i disa anëtarëve të shoqërisë gjermane, të cilët në atë kohë mirëpritnin refugjatët që vinin në stacionet e trenit.

Image
Angela Merkel pozon me Çmimin Nansen të UNHCR-së për Mbrojtjen e Refugjatëve, 10 tetor 2022

 

Politika mikpritëse e Merkelit ndaj refugjatëve në vitin 2015 ndau opinionin publik në atë kohë. Angela Merkel megjithatë pranoi se ishte ndikuar që Gjermania u nda në atë kohë lidhur me vendimin e saj. "Por ka situata ku nuk mund t'i shmangesh polemikave”, tha ajo.

Vajtja në"themel" të problemit

Angela Merkel kujtoi gjithashtu masat që mori ajo për të "gjetur shkaqeve bazë të arratisjes", duke përmendur marrëveshjen BE-Turqi të vitit 2016. Shumë e diskutueshme në atë kohë, kjo marrëveshje konsistonte në kthimin në Turqi të refugjatëve që mbërrinin në Greqi pa të drejtë azili europian.

Në këmbim, BE-ja do të pranonte të njëjtin numër azilkërkuesish sirianë që presin në kampet e refugjatëve turq dhe do t'i rivendoste ata rreth bllokut. BE u zotua gjithashtu t'i paguante Turqisë rreth 6 miliardë euro për të mbështetur rreth katër milionë refugjatët sirianë atje.

Pas shpalljes së marrëveshjes, BE u kritikua se kishte shitur vlerat e tij humanitare dhe ia kishte besuar politikën e tij gtë migracionit presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, kur ky i fundit po bëhej gjithnjë e më autoritar. Duke ofruar një reflektim tjetër, Merkel tha në intervistë: "Sigurisht që po mësoj. Prandaj, në retrospektivë, do të kisha punuar shumë më herët për të siguruar, që një situatë si ajo e verës së 2015 të mos ndodhte fillimisht. Për shembull, me një rritje në kontributet e Programit Botëror të Ushqimit, për kampet e refugjatëve në vendet fqinje të prekura veçanërisht nga migrimi, siç bëmë më pastaj."/DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat