Holanda shpërthen ndaj Serbisë dhe i bën thirrjen e fortë BE-së

Evropë

Holanda shpërthen ndaj Serbisë dhe i bën thirrjen e fortë BE-së

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 11:46
Aleksandar Vuçiq

Holanda kërkon që Komisioni Europian t’i ndërprejë negociatat me Serbinë për anëtarësim në BE. Politikanët holandezë kërkojnë që të pezullohet udhëtimi pa viza i serbëve nëse Beogradi vazhdon ta ndjekë kursin e tij duke mos i vënë sanksione Rusisë.

Mediumi holandez, NOS, raporton se VVD dhe PvdA, dy partitë politike në Amsterdam, duan që në Bruksel të propozohet një procedurë e re e pranimit të kandidatëve për anëtarësim në BE. 

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkim Europian dhe për këtë arsye merr miliarda euro ndihme, ka shkruar deputeti i VVD-së, Van Wijngaarden. Në një mocion që ai do ta paraqesë sot bashkë me PvdA-në, palët shkruajnë se Komisioni Europian duhet të jetë në gjendje të merret me kandidatët për anëtarësim që nuk përshtaten me politikën e jashtme të Brukselit.

“Serbia dëshiron të mbetet në favor të Rusisë dhe në të njëjtën kohë të bëhet anëtare e BE-së, me fjalë të tjera ta hajë atë në të dyja mënyrat”, tha anëtari i VVD-së, Van Wijngaarden. “Përveç kësaj, ata duan ta mbajnë udhëtimin pa viza, por vendi gjithashtu vepron si një port tranziti për migrantët e paligjshëm. Nëse qeveria serbe vazhdon ta ndjekë këtë kurs, si procesi i anëtarësimit në BE ashtu edhe udhëtimi pa viza për serbët duhet të pezullohet”.

Sipas deputetit të PvdA, Piri, politika e jashtme e përbashkët është një “reflektim i vlerave mbi të cilat është themeluar BE-ja: promovimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”. Nëse një vend kandidat ka probleme me këto parime bazë, thotë se është “vetëm logjike të nxirren pasoja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat