Francë: Vazhdojnë protestat dhe grevat kundër reformës në pensione

Evropë

Francë: Vazhdojnë protestat dhe grevat kundër reformës në pensione

Më: 23 mars 2023 Në ora: 09:59
Zjarrfikësit francez duke shuar zjarrin e vënë nga protestuesit në Paris, më 20 mars 2023.

Qindra mijëra njerëz kanë vendosur të vazhdojnë grevat dhe protestat në Francë të enjten, pasi presidenti Emmanuel Macron u zotua të çojë përpara planin e tij për reformën e pensioneve, pavarësisht nga përshkallëzimi i zemërimit në të gjithë vendin.

Protestat kundër legjislacionit, i cili rrit moshën e daljes në pension me dy vjet, kanë tërhequr turma të mëdha në protesta të organizuara nga sindikatat që nga janari.

Sindikatat e punëtorëve thanë se dita e nëntë e veprimit mbarëkombëtar të së enjtes do të tërheqë turma të mëdha kundër atyre që ata i përshkruajnë si "përbuzje" dhe "gënjeshtra" të presidentit Macron.

Macron ngjalli zemërim nga sindikatat dhe partitë opozitare të mërkurën kur hodhi poshtë thirrjet e tyre që ai të merrte parasysh kërkesat për të mos e çuar përpara këtë plan.

"Përgjigja më e mirë që mund t'i japim presidentit është se ka miliona njerëz në grevë dhe në rrugë", tha Philippe Martinez, i cili drejton sindikatat.

Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por zemërimi është rritur që kur qeveria e shtyu projektligjin në parlament pa votim, javën e kaluar.

Shtatë netët e fundit në Paris dhe qytete të tjera protestat u përshkallëzuan me prostesues që i vunë zjarr kazanëve të mbeturinave dhe u përleshën me policinë.

Duke folur të mërkurën, Macron tha se ligji i ri është i nevojshëm dhe do të hynte në fuqi më vonë këtë vit.

Ai ka thënë vazhdimisht se është i bindur që reforma është e domosdoshme në mënyrë që sistemi i pensioneve të mbetet funksional.

“Reforma nuk është luks, nuk është për argëtim, është domosdoshmëri për shtetin”, ka thënë ai.

Macron i ka “dënuar” protestat e dhunshme dhe ka insistuar se “i respekton” sindikatat dhe protestat që janë organizuar nga kundërshtarët e tij, të cilët nuk pajtohen me planin për pensione.

Sindikatat kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të enjten dhe për greva në sektorët kyçë, derisa Qeveria ta tërheqë këtë projektligj./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat