Dokumentet sekrete zbulojnë operacionin e madh rus në Moldavi

Evropë

Dokumentet sekrete zbulojnë operacionin e madh rus në Moldavi

Më: 16 maj 2023 Në ora: 07:09
Gheorghe Cavcaliuc

Një komplot rus për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore të Moldavisë u orkestrua nga ish-shefi i policisë speciale moldave Gheorghe Cavcaliuc. Ai i ka lëvizuar “fijet” që nga shtëpia e tij në Londër, zbulon një dokument i dorëzuar në Ministrinë e Jashtme Britanike nga një grup avokatësh moldavë dhe britanikë.

Raporti, i parë nga British Times, tregon se Cavcaliuc orkestroi një plan për të destabilizuar Moldavinë duke përdorur agjentë të huaj për të kryer një grusht shteti nën pretekstin e protestave antiqeveritare. Cavcaliuc dyshohet se ishte një lojtar kyç në organizimin e planit.

"Ai përdori lidhjet e tij të kaluara për të rekrutuar ish-oficerë policie në një grup paraushtarak që 'mbron' demonstratat e rreme antiqeveritare. Këto demonstrata janë të koordinuara me Moskën; ne e dimë këtë nga raportet tona të inteligjencës, nga inteligjenca amerikane dhe nga mënyra se si i portretizon propaganda ruse si opozitë," i tha The Times Radu Marian.

Cavcaliuc u largua nga Moldavia për në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020, kur politikania pro-perëndimore Maia Sandu mundi presidentin pro-rus Igor Dodon në zgjedhjet presidenciale. Që kur Sandu erdhi në pushtet, presidenti rus Vladimir Putin është përpjekur me të gjitha forcat për të rrëzuar qeverinë e saj. 

Përveç anulimit të një dekreti të vitit 2012 që mbështeti pjesërisht sovranitetin moldav në zgjidhjen e së ardhmes së Transnistrisë, Putini po përpiqet në mënyrë aktive të ndalojë ndikimin në rritje të NATO-s në Moldavi. Qeveria moldave ka kërkuar vazhdimisht ekstradimin e Gheorghe Cavcaliuc, një ish oficer policie i akuzuar gjithashtu për grumbullim të paligjshëm të pasurisë mbi të ardhurat e tij zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat