Kroaci: Më shumë energji nga impiantet diellore

Evropë

Kroaci: Më shumë energji nga impiantet diellore

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 08:12
Kroaci, ishulli Cres

Në Kroacinë e pasur me diell ka pak impiante për energjinë diellore. Por disa ishuj që kërkojnë ndërtimin e impianteve diellorë po përballen me burokratë të paaftë dhe paragjykime nga e kaluara socialiste.

Ishulli kroat Cres është një parajsë për pushime. Bluja e Adriatikut, kodrat e ulta dhe fshatrat piktoreskë ftojnë turistët të përqafojnë moton e banorëve të zonës "Pa stres në Cres”. Megjithatë në grupin e ishujve që kanë shumë diell, mungojnë impiantet diellore, të cilat shihen shpesh në vende të tjera mesdhetare, si për shembull në Spanjë. 

Një grup banorësh të ishullit kërkon tani ta ndryshojë këtë gjë. 3000 orët me diell që kanë ishujt çdo vit do të shfrytëzohen në të ardhmen, që deri në vitin 2040 grupi i ishujve Cres- Losinj, të jetë i padëmshëm për klimën. Një impiant diellor i financuar komplet nga qytetarët do të krijojë mundësinë për këtë.

Image
Franjo Toic, manaxher i kooperativës energjetike, Apsyrtides dhe bari

"Ne hodhëm një video dy-tre minutëshe në You-Tube,” shpjegon Franjo Toic, manaxher i kooperativës energjetike, Apsyrtides. Kjo është krijuar në vitin 2021, për të ndërtuar një impiant diellor me kapacitet deri në 500 kilovat. "Në video treguam kush jemi, çfarë synimi kemi, dhe si do ta realizojmë.

Jehona ishte e madhe, tregon Toic, i cili ka lindur këtu në Cres dhe punon në komunën vendore. Brenda tre javësh që kur filloi fushata, kooperativa energjetike mblodhi 100 mijë euro, shumë më tepër se sa shpresohej të mblidheshin, ne prisnim të mblidheshin 60 mijë euro.”

"Ne nuk e prisnim që kaq shumë njerëz në komunë donin të bënin diçka, të ishin aktivë,” thotë Toic, që si shumë të tjerë merret me shtimin e bagëtisë së imët në ishull.

Me projektin diellor banorët e ishujve Cres janë shumë para banorëve të pjesëve të tjera të Kroacisë. Vetëm një përqind e energjisë së vendit u prodhua në vitin 2022 nga modulet diellore, megjithëse ky Kroacia bën pjesë në vendet më me diell të Europës.

Kroacia çalon në shfrytëzimin e energjisë diellore, por gjërat po ndryshojnë

Në shikim të parë, ky vend i vogël i Ballkanit duket parajsë për energjitë e renovueshme. 63 përqind e energjisë kroate vjen nga burimet ekologjike, kryesisht nga hidrocentralet e vjetra (38 përqind) nga koha e ish-Jugosllavisë, energji e prodhuar nga era (16%) dhe biomasa (8%). Vetëm 36 përqind e nevojave për energji plotësohen ende nga djegia e karburanteve fosile

Meqenëse thatësirat janë duke u shtuar, shkaktuar nga ndryshimi i klimës, hidrocentralet nuk mund të mbulojnë rritjen e nevojave për energji. "Ne kemi arritur kapacitetin maksimal të burimeve hidroenergjetike në Kroaci,” deklaron Andro Bacan, expert për energjitë e renovueshme në institutin shtetëror të energjisl, Hrvoje Pozar në Zagreb, kryeqytetin e vendit.

Ndërtimi i energjisë diellore duket të jetë zgjidhja më e thjeshtë, në mënyrë që deri në vitin 2030 vendi të ulë me 45 përqind emisionet e dioksidit të karbonit. Por mungesa e rregullimeve, problemet me lidhjet në rrjet dhe burokracia e ngadaltë pengojnë teknologjinë, thotë Bacan.

Image
Kroacia çalon në shfrytëzimin e energjisë diellore, por gjërat po ndryshojnë

Sidoqoftë janë bërë disa hapa përpara. Në pesë vitet e fundit janë ndërtuar module diellore, megjithëse deri tani në gjithë vendin ato kanë qenë deri tani vetëm 220 megavat. Por tendenca për të shfrytëzuar energjinë diellore po vazhdon, thotë Bacan.

Rritjen e interesimit për energjinë dielleore e sheh edhe Mislav Kirac, drejtor prorgami në organizatën që kryeson kooperativat energjetike të Kroacisë, ZEZ. Përgjegjëse për këtë kanë qenë faktorë të ndryshëm: Ulja e çmimit për energjitë diellore, lehtësimet fiskale për instalimin e çative dhe dëshira për siguri energjetike pas luftës ruse në Ukrainë.

"Ne jemi duke parë një lloj dinamike,” thotë Kirac. "Autoritetet lokale kanë filluar të kuptojnë se burimet energjetike që kanë, qëndrueshmëria energjetike dhe rezistenca ndaj krizave janë të rëndësishme. Dhe kjo ka dalë më shumë në pah se pesë vjet më parë."

Burokracia dhe mosbesimi pengojnë krijimin e kooperativave të energjisë

Sipas analistit për çështjet e energjisë, Bacan, kooperativat siç është ZEZ, luajnë një "rol vendimtar” në shfrytëzimin e energjisë diellore, nga njëra anë nëpërmjet projekteve, nga ana tjerër nëpërmjet sensibilizimit për këtë temë.

ZEZ është kriuar në vitin 2013, si pjesë e një projekti të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e kooperativave të energjisë në vend dhe ka qenë "pionier në këtë fushë speciale,” thotë Kirac.

Synimi i bashkimit të kooperativave, ZEZ është demokratizimi i furnizimit të energjisë me energji që prodhohet nga vetë qytetarë, që është e decentralizuar dhe energji e renovueshme, që mund të përballohet nga qytetarët. Vizioni është që pjesë të ndryshme të qytetit të bëhen bashkë në një komunitet energjie, që nuk prodhon vetëm rrymë, por edhe ngrohje dhe transport.

Kirac dhe mbështetës të tjerë të energjisë së gjelbërt, thonë megjithatë se rregullat për komunitetet e energjisë janë frustruese, të komplikuara dhe shumë burokratike.

Përveç kësaj, kooperativat e reja qytetare kanë fillim të vështirë në një vend ish socialist si Kroacia, ku disa njerëz i lidhin kooperativat me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit në ish kooperativat e administruara nga shteti të ish Jugosllavisë. Por me modelin që ka, ZEZ ka patur sukses në Cres dhe ishullin fqinj, Krk, si dhe në qytetin Krizevci, në verilindje të Zagrebit, qytet që është kthyer në shembull për energjinë e gjelbërt në Kroaci.

Pa stres në Cres

Image
Energjia diellore në Kroaci

Mbështetja për idenë e krijimit të një koperative, nuk mungoi në Cres megjithë kujtimet negative nga e kaluara, thotë manaxheri i kooperativës Apsyrtides, Franjo Toic, që ndodhet në zyrën e tij në qendrën kryesore të ishullit. Muret janë mbushur me fotografi kasollesh të vjetra me gurë, që fshatarët i kanë pas përdorur dikur për tu strehuar kur mblidhnin të korrat nga vreshtat ose kullosnin bagëtinë. 

"Po të ishim në pjesën kontinentale të vendit, në një qytet të madh me 100 mijë banorë, atëherë do ishte vërtet e vështirë të bidnim njerëzit për të investuar në këtë projekt,” thotë ai.

Burokracia mbetet deri tani pengesa më e madhe për energjinë diellore në Kroaci. Kooperativa, Apsyrtides është duke pritur prej një viti e gjysmë për të marrë dritën jeshile për fillimin e instalimit të impiantit të energjisë diellore. Toic shpreson që impianti të jetë gati brenda gjashtë muajsh, në mënyrë që donatorët të marrin mbrapsht një pjesë nga investimi që kanë bërë. 

Njerëzit e njohin njeri tjetrin në ishull. Kjo gjë ishte avantazh në krijimin e kooperativës së energjisë, por edhe disavantazh. "Është e çuditshme, sepse kur jeton në një komunë të vogël, mund të humbasësh emrin e mirë,” thotë Toic. Nëse projekti dështon, thotë ai duke bërë shaka, atëherë atij do i duhet të largohet nga ishulli.

"Unë mundohem të mos prish asgjë, sepse kolegët e mi dhe unë e duam shumë këtë ishull. Ne mendojmë se jemi duke krijuar diçka të veçantë. Unë nuk dua të largohem nga Kroacia,” thotë Toic.

Dhe megjithë shqetësimet, motoja e ishullit udhëzon që të mos prishet gjaku. "Unë jam mbushur me thinja, por në fund të fundit në Cres nuk ka stres.”/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat