Parlamenti i Gjeorgjisë e rrëzon veton e presidentes kundër ligjit për “agjentët e huaj”

Evropë

Parlamenti i Gjeorgjisë e rrëzon veton e presidentes kundër ligjit për “agjentët e huaj”

Më: 28 maj 2024 Në ora: 17:26
Demonstruesit duke protestuar kundër ligjit për "agjentët e huaj" pranë ndërtesës së Parlamentit të Gjeorgjisë, në Tbilisi, 28 maj 2024.

Parlamenti i Gjeorgjisë e ka rrëzuar të martën veton e presidentes së vendit, Salome Zurabishvili, ndaj të ashtuquajturit ligji për “agjentët e huaj”.

Ky vendim i ka zemëruar protestuesit e mbledhur pranë ndërtesës së Parlamentit dhe do t’ia rrezikojë vendit rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ashtu siç pritej, e përshpejtoi votimin për rrëzimin e vetos më 28 maj. Ajo, së bashku me partinë aleate, Partia Demokratike e Gjeorgjisë, kanë 84 deputetë nga 150 sa ka Parlamenti gjeorgjian.

Për ta zhvlerësuar veton e Zurabishvilit nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 76 votash.

Deputetët gjeorgjianë e morën këtë vendim megjithëse Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare i kërkuan atyre të mos e rrëzojnë veton për një ligj të cilit shpesh iu referohen si “ligji rus”, për shkak të ngjashmërisë me legjislacionin që Kremlini e ka në fuqi për t’i heshtur opozitën dhe lirinë e shprehjes.

Ligji i kthehet tani presidentes Zurabishvili për ta nënshkruar. Nëse ajo nuk pranon, atëherë kryetari i Parlamentit, Shalva Papuashvili nga partia në pushtet, mund ta nënshkruajë ligjin dhe ta publikojë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat